Rreth 3600 fëmijë në vit shfaqin probleme të çregullimit të shikimit por kapja e tyre shpesh herë bëhet gjatë moshës shkollore kur fëmija ankohet për dhimbje koke apo mungesë përqëndrimi në mësim.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Adrian Hoxha në një prononcim për Top News ka vlerësuar rregulloren e Ministrisë së Arsimit për Kontrollin e syve tek fëmijët 6 vjeçarë.

Por nga ana tjetër ai ka shtuar se ky kontroll duhet të nisë më herët me qëllim korigjimin në kohë të këtyre çrregullimeve.

Përveç studimeve të pakta që kryen Instituti i Shëndetit Publik, në Shqipëri mungojnë statistikat zyrtare në lidhje me sëmundshmërinë e syve tek fëmijët. Sipas kreut të ISHP, kontrolli i syve duhet të nisë sa më parë dhe këtë duhet ta bëjë mjeku i familjes me qëllim parandalimin në kohë të problemeve që në moshë më të vonë janë të pariparueshme.

Sipas të dhënave nga klinika e syve në QSUT, çdo ditë paraqiten për kontroll rreth 30 fëmijë që kanë lindur me probleme shikimi ose u janë shfaqur këto probleme gjatë viteve.

Mjekët specialistë kanë bërë apel që kontakti me okulistin nuk duhet të mungojë dhe prindërit s’duhet të neglizhojnë çdo shqetësim të shfaqur nga fëmijët.

Një tjetër masë për parandalimin e çrregullimit të pamjes mbetet dhe reduktimi i kohës së fëmijës në kompjuter apo qëndrimi shumë afër televizorit gjë që sjell lodhje të syrit. 

Top Channel