Në përmbylljen e Javës Europiane të Lëvizshmërisë, Ministri i Mjedisit, Lefter Koka tha se në vitet e fundit mjedisi nuk ka qenë prioritet ndërsa shprehu angazhimin e qeverisë së re për të punuar në drejtim të uljes së shkallës së ndotjes dhe përdorimit pa kriter të resurseve natyrore.

“Në vitet e fundit mjedisi nuk ka qenë prioritet, peisazhi është dëmtuar rënde,  zhvillimi ekonomik intensiv ka bërë që shumë pasuri natyrore të vendit të keqpërdoren. Në vitet në vazhdim do të bëhet maksimumi për minimizimin e ndotjes”, deklaroi ministri Koka.

“Sa u përket zgjidhjeve për uljen e ndotjes, ato janë të ndryshme, por e rëndësishme është që ne të gjithë të luajmë rolin tonë. Në vend të makinave të ecim në këmbë, të përdorim bicikletat si ambasadori i Holandës për shembull që çdo ditë shkon në punë me biçikletë, madje dhe sot këtu ka ardhur me biçikletë’, u shpreh Francois Beugeot, përfaqësues i Bashkimit Europian.

Po në kuadër të Javës Europiane të Lëvizshmërisë, kryebashkiaku Lulëzim Basha kërkoi të mos tolerohen automjetet që zënë rrugët dedikuar bicikletave, por që sipas ambientalistëve këto korsi në kryeqytetit janë shumë pak.

“Dua të përsërit një thirrje autoriteteve që konstatojnë zënien e korsive dedikuar biçikletave nga automjet që të mos tregojnë tolerancë, t’i heqin automjetet, ndërsa i kërkoj drejtuesve që ta kuptojnë se me ligj, etikë e moral qytetar, çiklisti ka gjithmonë përparësi”, deklaroi zoti Basha.

“Ne kërkojmë më shumë rrugë për biçikleta, më shumë rrugë të sigurta për to, kërkojmë rrugë të menduara jo nga një person që shtron rrugë në bashki, por prej një inxhinjeri të mirëfilltë”, tha në emër të ambientalistëve, Sazan Guri.

Top Channel