
Teatri i Korçës ka çelur sezonin e ri artistik me një shfaqje të Molierit nën regjinë e Erion Isait. “Borgjezi fisnik”, i zhveshur nga tiparet që i ka dhënë Molieri, është sjellë me një frymë të re, të përshtatur me realitetin shqiptar, problematikën e tij.
Regjisori Isai, por edhe disa prej aktorëve më të spikatur të trupës së “Portokallisë”, janë harmonizuar me aktorët e mirënjohur të Korçës, Zamira Kita dhe Marko Bitraku, duke vendosur në skenë një shfaqje e cila ka korrur sukses që mbrëmjen e parë.
Mesazhi i veprës, e cila në thelb ka vlerën dhe forcën e parasë, gjatë gjithë kohës ka ngjallur kureshtjen e artdashësve për të ndjekur rrjedhën, por edhe përfundimin e shfaqjes. Në fund të mbrëmjes, regjisori Erion Isai, përveçse ka falenderuar publikun për pritjen e ngrohtë, është ndalur edhe tek mbështetja që kjo shfaqje ka marrë nga “Digitalb”, që sipas tij ka qenë një prej faktorëve kryesorë për vënien në skenë të shfaqjes.
Shfaqja do të vijojë të jetë në skenën e teatrit “Andon Zako Cajupi” në Korçë përgjatë netëve në vijim për të lënë mundësinë që të gjithë ata që duan ta ndjekin, të shohin nga afër profesionalizmin që është sjellë nga artistë të konfirmuar prej vitesh, por edhe nga emra të rinj e të talentuar.
Top Channel