Dy pallate në ndërtim u bllokuan nga policia e Komisariatit nr. 1 në Tiranë pasi ishin konstatuar më parë se ishin pa leje ndërtimi, ndërsa u procedua përfaqësuesi i subjektit të ndërtimit që kryente punimet në të dyja objektet.

Procedimi u nis nga stacioni i Policisë në Farkë ndaj shtetasit Agron Shehu, përfaqësuesi i firmës së ndërtimit “Shehu shpk”, për veprën penale të ndërtimit pa leje.
 
Sipas policisë, dy pallatet janë në fazën e ndërtimit në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë dhe për këtë u procedua edhe inspektori i ndërtimit të komunës Farkë. Në këtë komunë, e cila rezulton problematike, u proceduan gjatë së shtunës edhe 11 persona të tjerë për ndërtime pa leje.
 
Urdhëri i ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për bllokimin e të gjitha ndërtimeve pa leje është ekzekutuar edhe në Shkodër, Pogradec dhe Elbasan. Ndërkohë që janë paralajmëruar të gjithë inspektoret e ndërtimit në komuna dhe bashki se do të procedohen penalisht.

Në Shkodër u dërgua për ndjekje penale inspektori i ndërtimi të komunës Velipojë dhe u ndalua një person që kishte ndërtuar një pallat pesëkatësh në bregdet pa patur lejen përkatëse.

Ndërkohë që në Tushemisht dhe në Cërravë, dy fshatrat në afërsi të liqenit të Ohrit, komisariati i Policisë së Pogradecit ndaloi shtatë pesona për ndërtime të paligjshme duke bllokuar dhe ndërtimet e tyre abuzive.

Top Channel