Një ditë larg smogut, ndotjes së ajrit dhe me simbolikën e dashur të shëtitjes me biçikleta ka qenë kjo e shtunë në Pogradec.

Një aktivitet i organizuar nga Bashkia e këtij qyteti dhe Albanian Exelence ka sjellë në këtë qytet traditën e shëtitjes buzë liqenit me biçikleta dhe tringëllimat e zileve të tyre.

“Ishte një aktivitet shumë mbresëlënës, shumë i bukur që u përcua tek qytetarët e Pogradecit. Qëllimi ynë është që të ndërgjegjësojmë opinionin, njerëzit në përdorimin e biçikletave”, thotë Flora Nikolla, Organizatore.

Ministri Bledar Çuçi teksa ndoqi nga afër këtë aktivitet tha se misioni politik i PS-së është që t’u krijojë të gjithë qytetarëve invalidë ose jo kushte të barabarta.

“Politika në shërbim të shoqërisë. Ne duhet ta kthejmë fokusin e politikës, sidomos politikës lokale, sepse ajo merret me jetën e përditëshme të njerëzve, drejt dimensionit civil të shoqërisë”, tha Ministri për Çështjet Vendore, Bledar Çuçi.

Kryebashkiaku Artan Shkëmbi deklaroi se mesazhi i kësaj dite është për një ambient të paster, pa pluhur dhe plot jetë.

“Ne jemi shumë mbrapa në këtë drejtim. Në Pogradec kemi bërë të paktën një hap pozitiv që nuk kemi në kryqëzimet e rrugëve ose në vijat e bardha, nuk kemi ulje të trotuareve që njerëzit të kalojnë, por kemi barazuar nivelin e shesheve, rrugëve dhe të trotuareve që do të thotë që të paktën tek gjysma e qytetit ku është investuar, qytetarët mund të kalojnë, edhe invalidët edhe dikusht me biçikletë, me patina, një nënë me një fëmijë me karrocë të vogël ka mundësi që të kalojë në të gjithë qytetin”, tha kryebashkiaku Shkëmbi.

Qytetarë të shumtë, anëtarë të shoqërisë civile, por edhe të tjerë kanë hedhur idetë dhe eksperiencat e tyre për të rikthyer edhe njëherë në qendër të vëmendjes biçikletat dhe qëllimin e tyre që të gjithë ne të jetojmë në një ambient sa më të pastër.

Top Channel