Ndërtimet e pakontrolluara në lartësi dhe në 100 për qind të sipërfaqes,
gërmimet, mbushjet e vijës bregdetare, zaptimi i lulishteve dhe
shëtitoreve kanë shoqëruar historinë e të paktën 20 viteve të fundit në
Sarandë.

Vlerat urbane dhe arkitekturore të qytezës së vogël buzë detit kanë kompromentuar edhe vetë zhvillimin e turizmit. Kreu i Bashkisë, Stefan Çipa thotë se do të ketë një fazë të rëndësishme prishjesh të ndërtimeve pa leje dhe studim të të gjitha lejeve të dhëna.

“Prishjet e ndërtimeve pa leje, që janë zona publike janë evidentuar dhe do të vazhdojë kjo prishje. Kemi ndërtime që janë dhënë në kundërshtim me ligjin mbi zona arkeologjike. Duhet në radhë të parë të ndalen legalizimet, sidomos në zonat bregdetare, në qytetet bregdetare. Ne mundohemi që të gjitha sipërfaqet e gjelbëruara do të kthehen siç kanë qenë”, thotë Cipa.

Edhe qytetarë të Sarandës dhe banorë të vjetër të saj mendojnë se masat sistemuese janë të nevojshme për t’i dhënë frymëmarrje qytetit.

Në Sarandë gjithë periudha kaotike e zhvillimit urban ka prodhuar mbivendosjen e 1300 trojeve të ndërtimit,  bllokimin e hipotekimit të ndërtimeve që ka sjellë ngurtësimin e 750 milionë eurove, dhënien nga njësia vendore ndër vite të 2500 trojeve që janë bllokuar më pas me akte ligjorë nga instanca qendrore.

Top Channel