Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Alexander Arvizu zhvilloi takimin e parë me Edi Ramën si kryeministër i vendit. Në një deklaratë të përbashkët për median, Rama theksoi vendosmërinë e qeverisë së re për t’i avancuar marrëdhëniet Shqipëri-SHBA.

“Takimi konfirmoi përkatësinë tonë të plotë në vlerat e Shteteve të Bashkuara, besnikërinë tonë ndaj SHBA si aleati më i madh strategjik dhe padyshim ndjenjat e miqësisë tonë me popullin amerikan, të cilit i jemi pranë. E garantova ambasadorin se vitet e këtij mandati do të jenë vite të forcimit të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij diplomati amerikan shprehu gadishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar qeverinë Rama.

“Ishte kënaqësi dhe nder që pata mundësi ta përgëzoja edhe njëherë kryeministrin Edi Rama në emër te presidentit Obama për qeverinë e re. Zoti kryeministër e shprehu në mënyrë më elokuente afërsinë e marrëdhënieve tona dhe marrëdhënien tonë strategjike.

I kam shprehur zotit kryeministër mbështetjen e plotë të qeverisë amerikane dhe ambasdës të SHBA-ve për të asistuar administratën e tij me ambicjet në realizimin e reformave.

Rezultati i zgjedhjeve të 23 qershorit ishte shumë i qartë dhe prishmëritë janë shumë të larta. Jemi të përkushtuar që të përmbushim këto reforma në interes të popullit shqiptar, duke mbajtur sytë tek statusi i mundshëm kandidat dhe integrimi i mëtejshëm i Shqipërisë për në BE.

Jemi gjithashtu mirënjohës për kontributin e Shqipërisë në NATO dhe që ndajmë të njëjtat pikëpamje, si ne dhe kombet e tjera për çështjen e Sirisë. Kemi besim të plotë që qeveria e drejtuar nga kryeministri Rama do jetë faktor stabiliteti për paqen në rajon”, deklaroi Arvizu.

Më herët gjatë ditës kryeministri Rama takoi presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, takim gjatë të cilit e vuri theksin tek forcimi i bashkëpunimit dypalësh si dhe tek rëndësia e integritetit territorial të Maqedonisë për Shqipërinë.

Top Channel