Shpenzimet për arsimin

16/09/2013 00:00

Në vitin 1989 regjimi komunist shpenzonte 4 për qind të Prodhimit
Kombëtar për arsimin. Ndonëse e varfër dhe e rrënuar ekonomikisht
Shqipëria e asaj kohe i kushtonte arsimit të njëjtën rëndësi si
ekonomitë e pasura të perëndimit.

Por që pas rënies së sistemit sektori ka qenë qenë gjithmonë i nënfinancuar dhe shpenzimet publike për të nuk u rikthyen asnjëherë në nivelet para viteve 90. Në vitin 2005, pas tetë vitesh në pushtet qeveria socialiste financonte për arsimin sipas Bankës Botërore 3.1 për qind të Prodhimit Kombëtar.

Demokratët që në atë kohë erdhën në qeveri premtuan ta çonin shifrën në mbi 5 për qind për ta rikthyer sërish sektorin në prioritet. Por premtimi nuk u mbajt asnjëherë. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, vitin e kaluar shpenzimet për arsimin ishin sa 3.27 për qind e Prodhimit Kombëtar duke qenë vendi i parafundit në rajon.

Raportet e insitutcioneve ndërkombëtare e nxjerrin Shqipërinë si vendin me nevojat më të larta për financime në arsim. Në vitin 2008,

testet e Pizës provuan se mbi 57 për qind e të rinjve shqiptar deri në 15 vjec ishin analfabetë fuknsional. Të rinj që njohin shkronjat, por nuk kuptojnë apo zbatojnë atë që shkruhet. Vetëm tre vende kanë një rekord më të keq se ky: Kazakistani, Azebajxhani dhe Kirgistani.

Shifrat tregojnë se arsimi në Shqipëri ka qenë i keqfinancuar për gati dy dekada. Rreziku që të mbetet i tillë është i lartë. Kriza i ka tkurrur burimet financiare të buxhetit, ndërsa shpenzimet për disa zëra që lidhen me mbrojtjen sociale dhe interesat e borxhit rriten nga viti në vit duke lënë gjithmonë e më pak hapsirë për mbështetjen e sektorëve të tjerë. Arsimi konsiderohet prioritet kudo në botë. Ekonomistët thonë se së bashku me shëndetësinë këta dy sektorë janë përcaktues në zhvillimin ekonomik të një vendi dhe rritjen e mirëqënies për qytetarët.

Top Channel