ILIR YZEIRI – Opozita shqiptare po bëhet gati të hyjë në rrugën e bashkëqeverisjes së vendit me një gjendje të mjeruar, dëshpëruese, groteske, butaforike. Ata që e përbëjnë opozitën zyrtare të duket sikur janë zënë gafil dhe nuk dinë as çfarë bëjnë, as çfarë thonë.
Ky është një lajm i keq për të gjithë ne, sepse, përballë një shumice të tillë që numëron mbi 90 deputetë, siç rezultoi në zgjedhjen e Ilir Metës për Kryetar të Kuvendit të Shqipërisë, ne do të duhet të kishim një opozitë cilësore, të kujdesshme e kokulur, në mënyrë që të niste dalëngadalë procesi i unifikimit të zërit të opozitës me opinionin publik.
Mirëpo opozita zyrtare ose Partia e Vjetër Demokratike ka zgjedhur rrugën e asgjësimit politik dhe nuk do të identifikohet me opinionin publik, por do të mbetet besnike e një grupi apo e një klani njerëzish që qeverisën në këta tetë vjet në mënyrën më të keqe të mundshme.
Ata nuk e kanë kuptuar ende se nuk i mundi Edi Rama, as Koço Kokëdhima, por i mundi opinioni publik, fryma e përgjithshme që u krijua nga media e vërtetë, nga artikulimi në kohën e duhur i shqetësimeve publike prej opozitës, e cila diti të ruajë një koherencë të admirueshme me shqetësimet e përgjithshme të publikut.
Partia e Vjetër Demokratike e Sali Berishës u shkërmoq nga mbi 1 milion shqiptarë, sepse ajo u soll si një bandë plaçkitëse me pronën publike, sepse ndoqi modelin e Ben Aliut të Tunizisë dhe të Gedafit të Libisë, duke monopolizuar në dorën e një njeriu dhe të familjes së tij të gjitha pushtetet. Shqiptarët ishin të orientuar në çdo kohë dhe kishin si liderë të veprimit të tyre politik median e pavarur, e cila denoncoi me fakte dhe argumente Gërdecin, 21 janarin, privatizimet skandaloze dhe rrëmbimin e të gjitha pushteteve nga Sali Berisha.
Shqiptarët u lodhën deri në dhimbje nga paraqitja natë e ditë e Berishës dhe Topallit në ekranet e TV-ve, duke tjerrë idiotësi e duke folur një gjuhë të pështirë që i bëri ata të neveritshëm dhe të padurueshëm. Pas humbjes spektakolare më 23 qershor, të gjithë prisnin që tani në opozitë, Partia e Vjetër Demokratike do t’u kërkonte falje mbështetësve të saj dhe do të hapej menjëherë ndaj të gjithë atyre të djathtëve që, megjithëse nuk ndajnë të njëjtat qëndrime me PD-në, janë gjithsesi pjesë e opozitës së natyrshme. Mirëpo, kjo gjë nuk ndodhi.
Në fillim i shtynë për nga fundi i sallës dhe pastaj i përjashtuan nga listat dhe, në vend të tyre, vërshuan miqtë e djalit dhe të vajzës së Berishës. Më pas, Berisha bëri një shou të pështirë dhe emëroi në krye të PD-së njeriun më të papërshtatshëm ose zgjatimin grotesk të tij dhe në retorikën e opozitës nisën të aktivizohen shprehjet e sloganet e kohës së luftës me “tërheqje zvarrë”, “bastard” apo me lloj-lloj marrinash të tjera që jo vetëm nuk trembin më njeri, por të bëjnë për të qeshur kur sheh se ai që u përgjigjej në atë kohë këtyre sloganeve me “thyerje kafkash”, Kastriot Islami, është sot deputet i PD-së.
Retorika e vjetër e Islamit me lajmet e mëdha të RD-së janë imazhi karikaturor i opozitës zyrtare sot. Mirëpo, nga kjo gjendje katastrofike e opozitës zyrtare sot, demokracia shqiptare shumë shpejt do të jetë e gjymtuar, sepse Shqipërisë do t’i mungojë për një kohë të gjatë një alternativë e vërtetë qeverisjeje. Koalicioni qeverisës mbështetet sot nga një opinion i gjerë, sepse në krye të opozitës dhe si frymëzim i saj, shfaqet Sali Berisha, njeriu më i urryer ndër politikanët shqiptarë në këta njëzet vjet.
Gjithë ata që i rrinë afër apo që janë emëruar prej tij, kanë një profil të ulët politik dhe bëjnë kujdes jo të bëhen zëdhënës të opinionit të gjerë publik, por të shërojnë paranojat e liderit të tyre të sëmurë që u shkelmua prej pushtetit, prej shqiptarëve, më 23 qershor. Ky mjerim opozitar që hakërrehet me sloganet e Kastriot Islamit të vitit 1992 vështirë se do të jetë në gjendje ta mbrojë Sali Berishën në ditët kur atij do t’i duhet të përballet me drejtësinë.
Shumica e sotme ka marrë mandatin edhe për të na treguar me fakte se shtetasi Sali Berisha, në më shumë se një rast, ka shkelur ligjin dhe se ai duhet të përballet me drejtësinë. Media kritike nuk do të reshtë derisa të bëhet një transparencë e tillë.
Qeveria e re do të duhet të depozitojë në prokurori të gjitha ato shkelje që ka bërë ish-kryeministri Sali Berisha. Për këtë, ekziston një shembull dhe ky është ish-kryeministri kroat që sot po përballet me drejtësinë. Opinioni publik shqiptar është çliruar nga sindroma se duke penalizuar Berishën, penalizojmë opozitën. Opozita zyrtare sot nuk përfaqëson opozitën e vërtetë të opinionit publik.
Ajo përfaqëson vetëm interesat e një klani të caktuar që u sollën me pushtetin si zaptuesit me plaçkën e luftës. Ndaj kjo nuk është opozitë, por mjerim opozitar.
Top Channel