Kuvendi i ri i Shqipërisë do të zhvillojë sot pasdite seancën e tij të
parë plenare, për të çelur në këtë mënyrë zyrtarisht punimet e sesionit
të ri parlamentar.

Kjo seancë do të shënojë dhe fillimin e drejtimit të vendit nga qeveria e majtë, si fituese e zgjedhjeve elektorale të 23 qershorit.

Drejtimi

Pas refuzimit të Sali Berishës, seanca e parë e Kuvendit të Shqipërisë do të drejtohet nga deputeti i PS-së, Namik Dokle, si deputeti më i vjetër dhe më me përvojë në jetën parlamentare, pas Berishës. “Sa i përket drejtimit të seancës së sotme atë do ta drejtoj unë si më i vjetri në Kuvendin e ri, kuptohet pas Saliut. Nuk do të doja që të isha unë pas tij, por vitet bëjnë të tyren, më takon pasi kam mbi 20 vite jetë parlamentare dhe është detyrim drejtimi i seancës së parë të legjislaturës së re”- u shpreh për gazetën “Shqip” deputeti socialist Namik Dokle, i cili do të jetë dhe kryetar i Kuvendit deri në verifikimin e mandateve të deputetëve të Kuvendit.

Java e parë

Në një bisedë telefonike të zhvilluar, drejtuesi i seancës së sotme, si një nga deputetët më me përvojë të parlamentarizmit shqiptar, thekson se kjo javë do të jetë e ngjeshur për Parlamentin e ri, deri në betimin e qeverisë së majtë. Sipas Dokles, seanca e sotme do të jetë e shkurtër, në të cilën do të bëhet prezantimi i deputetëve, si dhe do të ngrihet komisioni i përbashkët parlamentar pozitë-opozitë, i cili do të bëjë dhe verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur më 23 qershor.

“Seanca e sotme nuk pritet që të zgjasë më shumë se 20-30 minuta. Do të jetë një seancë prezantimi, ku vendimi i vetëm që pritet të merret sot, por i pari sa i përket legjislaturës së re, është i ngritjes së komisionit të përbashkët pozitë-opozitë të njohjes së mandateve. Më pas ky komision do të nisë nga puna, ku fillimisht ka për detyrë që të kërkojë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve materialet zgjedhore të zgjedhjeve të 23 qershorit, e më tej do të nisë këqyrjen dhe verifikimin e mandateve të deputetëve”, sqaroi Dokle.

Ndërsa i pyetur se sa është periudha e parashikuar që komisioni të përfundojë verifikimin e mandateve, ai shpjegon se kjo procedurë, edhe pse në Rregulloren e Kuvendit është përcaktuar të mbyllet brenda dy ditëve, mund të mbyllet më herët, pra të martën. “Nuk besoj se do të jetë e nevojshme që njohja e mandateve të kryhet që në seancën e parë, pasi do të duhej që seanca të mbyllej pas mesnate, ndaj nuk është e nevojshme një mbingarkesë e tillë. I gjithë ky proces, sipas Rregullores së Kuvendit, duhet të përfundojë brenda dy ditëve, ku Komisioni i Verifikimit të Mandateve do t’i dorëzojë Kuvendit raportin e tij përfundimtar të këtij verifikimi. Por nisur nga rezultati i pranuar tashmë nga të gjitha palët, besoj se raporti mund të dorëzohet në Kuvend më herët, dhe them që njohja e mandateve të Kuvendit do të bëhet pasnesër”, shpjegoi dje deputeti më i vjetër socialist. Por punimet e Kuvendit do të zhvillohen gjatë gjithë këtyre ditëve, sepse pas njohjes së mandateve do të nisin dhe procedurat e tjera që kanë të bëjnë me mandatimin e qeverisë së re, si dhe ngritjen e komisioneve parlamentare. Pra, “gjithë kjo javë do të jetë e ngjeshur me seanca parlamentare, deri sa të përfundojë dhe procesi i rrotacionit të pushteteve”, u shpreh për gazetën “Shqip” deputeti i PS-së Namik Dokle, që do të drejtojë çeljen e punimeve të Kuvendit të Shqipërisë.

Top Channel