Rama kryeministër, dorëzohet kërkesa

09/09/2013 00:00

Pak pas mbledhjes së parë formale të Kuvendit të ri të Republikës, në zyrën e Presidencës ka mbërritur kërkesa e partive të koalicionit të majtë, që fitoi zgjedhjet e 23 qershorit, për emërimin e Edi Ramës në postin e kryeministrit.

Kërkesa e dorëzuar është njoftuar edhe në faqen zyrtare të Presidencës në internet ku thuhet: “Mbështetur në nenin 96, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kryetari i Partisë Socialiste, Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, i janë drejtuar Presidentit Bujar Nishani me një kërkesë në emër të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” me anë të së cilës kanë propozuar emërimin e zotit Edi Rama si Kryeministër të Republikës”.

Pas emërimit nga ana e presidentit, Rama dhe qeveria e ardhshme që do të drejtohet prej tij do të votohet në Kuvend. Kërkesa e Aleancës për Shqipërinë Europiane, që mori 83 mandate në zgjedhjet e 23 qershorit u dorëzua në Presidencë pas dorëheqjes së qeverisë Berisha, në orët e mesditës së hënë.

Top Channel