Mustafaj për ndryshimet politike

09/09/2013 00:00

Për të komentuar ndryshimet e fundit politike, aktivitetin e parlamentit të ri dhe prioritetet e klasës politike në ditët, javët, muajt dhe vitet që vijnë, i ftuar në edicionin qendror të lajmeve ishte Besnik Mustafaj.

Ilir Paç – Zoti Mustafaj, sot nisi punë legjislature e re e Kuvendit të Shqipërisë. Si mendoni se do të zhvillohet debati në katër vitet në vijim dhe a do të duhet të presin shqiptarët një Kuvend ndryshe, më pak konfliktual dhe më bashkëpunues se më parë?

Besnik Mustafaj  – Shpresojmë që parlamenti të jetë më pak konfliktual dhe më produktiv me ide. Por është shpejt për të qenë të sigurtë. Ky parlament ka disa veçori, sic është fakti që në grupin parlamentar socialist janë të ndara mandatet. Modeli i ndarjes së mandatit të ministrit, tek PD kemi faktin që kryetari i ri nuk është më Berisha. Ka disa specifika që presin të verifikohen.

Ilir Paço – Pritshmëritë e shqiptarëve për mazhorancën e re dhe kryeministrin e ri të vendit janë të mëdha.  Çfarë mendoni ju se janë prioritetet e muajve të parë të qeverisë dhe të Edi Ramës si kryeministër?

Besnik Mustafaj – Tani është vonë që unë ti përcaktoj prioritetet Ramës. Ai e ka bërë këtë prej kohësh, por besoj që ka disa urgjenca dhe ka disa prioritete afatmesme, por që përfshihen brenda mandatit. Urgjenca janë financat dhe vënia e tyre në kontroll, lufta kundër korrupsonit, ndërtimi i një sjellje politike bashkëpunimi me opozitën për të arritur në votime të përbashkëta dhe ligje që kërkojnë shumcië të thjeshtë, të shmanget arroganca dhe kjo në kuadër të përmirësimit të jetës së vendit dhe detyrave që ka vendi.

Ilir Paço – Si e shikoni opozitën e Partisë Demokratike, me një kryetar te ri, por jashtë parlamentit dhe një ish-kryetar dhe të gjithë kryesinë e vjetër brenda Kuvendit?

Besnik Mustafaj – Kjo nuk është një gjë që nuk ekziston. Vërtet që kryetari i PD është jashtë parlamentit, por është me shumë pushtet sepse është kryetari Bashkisë së Tiranës. Avantazhi është që ka personalitete të spikatura si Sokol Olldashi, Eduard Halimi, Majlinda Bregu. Specifika nuk qendron tek fakti pse kryetari i partisë është jashtë parlamentit, por që Berisha është brenda parlamentit, por nuk e dimë si do sillet ai si një deputet i thjeshtë. Besoj që do të jetë një opozitë ndryshe. Ka patur reagime të forta, të parakohëshme dhe unë mendoj që opozita duhet të jetë një qëndrim i vazhdueshëm. Shoqëria shqiptare ka nevojë për një opozitë serioze.

Ilir Paço – Si e shihni zgjedhjen e Edi Palokës në krye të grupit? A nuk është një sinjal për një opozite agresive?

Besnik Mustafaj – Paloka është në mandatin e katërt. Është një deputet me eksperiencë dhe përvoja mund t’i shërbejë. Profili që i ka krijuar vetes është ai një turbulenti. A do të mundet ta ndryshojë këtë profil? Kjo mbetet për t’u parë. Por sot u tha që është i komanduar, pra nuk është kryetar i zgjedhur sepse grupi parlamentar do ta zgjedhë vetë atë. Aty është edhe Olldashi që ka shanse të tregojë që është një lider alternativ.  Një shenjë jo e mirë ishte emërimi i përfaqësuesve në komisionin dhe sekretaritë e përkohëshme që PD i mori të 4 për vete. Fare mirë mund t’u ishin ndarë nga një PDIU dhe PR për të treguar që edhe këto dy forca janë pjesë integrale e opozitës. Por duhet parë, ky Kuvend meriton një vëmendje të vecantë.

Top Channel