Midhja e Butrintit në rrezik

09/09/2013 00:00

Midhja e Lagunës së Butrintit, sipas disa kultivuesve në zonën e Manastirit, është duke jetuar ditë të vështira.

Megjithëse krahasuar me vitin e kaluar, kur ngordhjet ishin masive, ky vit duket më i mirë, sërish ata ankohen për ngordhje të vargjeve të midhjeve në një gjatësi nga 70 cm deri në 1 m që iu ka kushtuar atyre rreth 30% të prodhimit.

Sipas të dhënave të relacionit teknik, të kryera prej Drejtorisë së Peshkimit Sarandë dhe Institutit të Peshkimit Durrës, shkaqet e këtij dëmtimi kanë ardhur si pasojë e shkaqeve klimaterike, konkretisht rritjes së temperaturave të ujërave në lagunë.

Vlerësimet e kryera evidentuan edhe rreth 11 ndërhyrje të paligjshme të kryera nga fermerët që kultivojnë misër, të cilët kishin devijuar një pjesë të rrjedhës së ujit të ëmbël të Bistricës për vaditje, të cilat aktualisht janë mbyllur.

Aktualisht liqeni i Butrintit, me sipërfaqe rreth 1.600 hektarë, numëron rreth 79 impiante midhjesh aktive. Prodhimi vjetor i midhjeve bashkë me guaskën shkon në 13-15 mijë kuintalë, prej të cilave vetëm 8-12 mijë kuintalë shkojnë në tregun vendas dhe pjesa tjetër ngelet në ujë për mungesë tregu.

Top Channel