Siria, në samitin e G20

05/09/2013 23:25

Udhëheqësit botërorë janë kyçur në një debat përçarës për Sirinë, në fund të ditës së parë të samitit të G-20, në Shën Pjetërburg të Rusisë.

Në fjalën hyrëse, presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi se situata në Siri do të diskutohet gjatë darkës së punës, pavarësisht se nuk është përfshirë në axhendë. Siç thotë BBC, “të paktën në afat të shkurtër, udhëheqësit duhet të shpresojnë se konflikti në Siri të mos e bëjë edhe më të fortë përplasjen mes tyre”.

Qeveria siriane akuzohet për përdorim të armëve kimike më 21 gusht, në periferi të Damaskut, kryeqytetit të Sirisë, ku – sipas Uashingtonit – të paktën 1429 persona humbën jetën. Media amerikane dhe gjermane publikuan analiza të tjera, sipas të cilave “gazi i përdorur në sulmin e 21 gushtit ishte më i fortë nga çfarë besohej në fillim dhe se forcat siriane janë ngatërruar në përzierjen kimike”.

Edhe kryeministri britanik, David Cameron, në një intervistë për BBC-në, tha se ekspertët britanikë zbuluan të tjera fakte, që e lidhin sulmin në Damask me përdorimin e armëve kimike.

Ndërkohë, kreu i parlamentit sirian, Mohammad Jihad al-Laham, i ka shkruar kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, “për të mos nxituar në një veprim të papërgjegjshëm”.

Presidenti amerikan, Barack Obama, po përpiqet të grumbullojë mbështetje për ndërhyrjen ushtarake kundër regjimit të Damaskut. Ai u takua me kryeministrin japonez, Shinzo Abe. Obama tha se “Japonia dhe Shtetet e Bashkuara miratojnë faktin se përdorimi i armëve kimike në Siri ishte një tragjedi dhe shkelje e ligjit ndërkombëtar”. Por, kreu i qeverisë japoneze nuk foli publikisht për ta mbështetur ose jo.

Të mërkurën,  komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë në Senat miratoi përdorimin e forcës në Siri për 60 ditë, duke lënë të hapur mundësinë për ta shtyrë më tej me 30 ditë të tjera. Kjo do t’i paraqitet për votim Kongresit, javën tjetër, dhe kërkon edhe miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Gazetarja e BBC-së, Bridget Kendall, në Shën Pjetërburg, tha se “Putin dhe Obama kanë aleatët e tyre, por beteja do të përqendrohet te vendet, të cilat ndajnë të njëjtat shqetësime për armët kimike, por i frikësohen pasojave të një ndërhyrjeje ushtarake.

Të dy udhëheqësit ia dolën të shkëmbejnë buzëqeshje përpara kamerave, jashtë pallatit “Constantine”, ku do të zhvillohet samiti dy-ditor. Ish-udhëheqësi i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, gjatë një interviste për BBC-në, u sugjeron atyre “të takohen për të përmirësuar marrëdhëniet dhe ndaluar gjithçka po ndodh tani”.

Top Channel