Japoni, përkeqësohet kriza në Fukushima

04/09/2013 15:50

Kriza në Fukushima vazhdon të përkeqësohet, ndërsa rrezatimet rreth reaktorëve të dëmtuar që prej 2011-s vazhdojnë të rriten.

Kompania Elektro-Energjitike e Tokios, e cila operon impiantin, pranoi të mërkurën zyrtarisht se niveli i rrezatimeve është rritur në nivelin vdekjeprurës prej 2 200 milisieverts në qendrën e vatrës së radioaktivitetit, nga 1 800 që ishin regjistruar tre ditë më parë.

Një nivel prej 50 milisieverts, njësia matëse më e zakonshme për matjen e rrezatimeve, konsiderohet i mjaftueshëm për të vrarë një njeri.

Centrali bërthamor pësoi dëmtime të rënda nga një tërmet i shoqëruar nga një tsunami i fuqishëm në mars 2011.

Ndonëse kriza fillestare u vendos nën kontroll, lënda radioaktive vazhdon të mbetet brenda reaktorëve dhe kompania që po merret me pastrimin e saj, ka pranuar se një sasi “tepër e vogël” uji radioaktive ka rrjedhur në ambient, duke shkaktuar këtë rritje të nivelit të rrezatimeve.

“Jemi duke hetuar arsyen e kësaj rrjedhje, ndërsa po marrim masat e përshtatshme për të kufizuar çdo dëmtim, e përmirësuar sigurinë e punonjësve tanë”, shkruhej në një deklaratë të kompanisë “TEPCO” këtë të dielë.

Megjithatë, mediat japoneze dyshojnë se uji radioaktiv është grumbulluar në sasi të tilla, sa që ka filluar të tejkalojë shtresat mbrojtëse nëntokësore rreth impiantit dhe të përfundojë në det.

Një ndërhyrje e shtetit, që akordoi 470 milionë dollarë për ndërtimin urgjent të një perimetri mbrojtës nuk është e qartë nëse do të mjaftojë për të përmirësuar situatën.

Duke rritur në tre nga shtatë maksimumi nivelin e rrezikut më parë gjatë javës, Japonia klasifikon tashmë zyrtarisht situatën si një “aksident serioz”, nga një “aksident” që parashikon niveli i dytë.

Ekziston frika që në ditët në vazhdim, niveli i rrezikut të rritet edhe me një apo dy shkallë, që do të thotë përkatësisht “incident me dëme në perimetrin përreth impiantit” ose “incident me shtrirje të gjerë”.

Përshkallëzimi i krizës në Fukushima është shndërruar në një problem veçanërisht serioz për vetë Tokion dhe komunitetin ndërkombëtar, pasi një rrjedhje radioaktive në det do të dëmtonte jo vetëm ekosistemin, por mund të sillte pasoja të rënda për jetesën në të gjithë rajonin e Azisë Juglindore.

Deri në fund të korrikut, situata në Fukushima reportohej zyrtarisht si tërësisht nën kontroll dhe niveli i rrezikut në shkallën 1, që emërtohet si një “anomali” ose “devijim nga normaliteti”.

Top Channel