Filma dhe kuzhinë në Pogradec

03/09/2013 00:00

Festivali i Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë ka nisur edicionin e tij të tretë duke sjellë kështu edhe mesazhin e tij se arti i tejkalon kufijtë konvencionalë.

Këtë vit janë sjellë 60 filma nga vende të ndryshme të Ballkanit. Fituesi i edicionit të kaluar, Naser Shatrolli tha se këtë vit Kosova do të përfaqësohet në festival me 10 filma me metrazh të shkurtër.

“Unë kam ardhur me një mision tjetër. Ne kemi bërë një përzgjedhje të përbashkët të filmave kosovarë dhe kam sjellë këtu sot, filma që vijnë prej festivaleve të ndryshme dhe do të garojnë për cmimet që do të kemi të shtunën”, u shpreh skenaristi Naser Shatrolli.

Presidenti i Nderit, Mirush Kabashi teksa mbajti fjalën e tij të hapjes tha se ky festival ka përmbushur një nga objektivat e  tij duke arritur të ketë pjesëmarje nga gjithë vendet ballkanike.

“Të fantazonim që të qendronte kaq denjësisht këtij qyteti perlë dhe këtyre qytetarëve fisnikë, të qytetëruar dhe të ndershëm sic janë pogradecarët, dhe kështu lindi Festivali Ballkanik i Filmit”, tha aktori Kabashi.

Ashtu si edhe dy edicionet e kaluara, këtij festivali nuk i ka munguar mbështetja e Bashkisë së Pogradecit. Kreu i saj, Artan Shkëmbi ka vlerësuar pjesëmarrjen nga i gjithë rajoni si dhe mesazhin që përcjell ky festival.

“Ky festival përpiqet të sjellë të përbashkëtat, artin, traditat dhe kulturën e përbashkët që me siguri sjellin afrimin dhe pajtimin e popujve të Ballkanit. Pra erdhi me një ngjarje të trishtuar, dhe solli një mesazh pajtimi dhe bashkimi për të gjithë ballkanin”, deklaroi kreu i bashkisë, Artan Shkëmbi.

Para se pjesëmarrësit të mund të futeshin në sallën e kinemasë së qytetit të Pogradecit edhe regjisori Eno Milkani ka përshëndetur pjesëmarrjen duke veçuar faktin që ky festival po kthehet në traditë.

“Që kur unë kam qenë para 4 vjetësh në një festival ballkanik në Rumani, fillova ta ndjej veten më tepër se shqiptar, ballkanas. Të gjithë ne jemi ballkanas, kemi shumë gjëra të përbashkëta dhe këto gjëra të përbashkëta duhet të na bashkojnë dhe nuk duhet të na ndajnë”, tha regjisori Milkani.

Për 5 ditë ky festival do të gjallërojë jetën e qytetit të Pogradecit duke sjellë shijen e artit dhe kulinarisë së bashku.

Top Channel