Siria, shqetësimet e Lindjes së Mesme

31/08/2013 02:30

Fqinjët e Sirisë po përgatiten për më të keqen, teksa spektri i sulmeve ajrore të mundshme nga Perëndimi varet rëndë mbi një Lindje të Mesme tepër nervoze.

Ndërkohë që presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, bën thirrje ndaj komunitetit ndërkombëtar për një kundërpërgjigje ushtarake ndaj sulmeve me armë kimike nga forcat e regjimit sirian në periferitë e Damaskut, CNN kryen hulumtime se si ndihen vendet fqinje të Sirisë së përfshirë në luftë civile, çfarë mendojnë për presidentin sirian, Bashar al-Assad, dhe për mundësinë e ndërhyrjes së huaj në konfliktin e përgjakshëm atje.

LIBAN – Është rritur siguria dhe ekziston një shqetësim e ankth në rritje në rrugët e Bejrutit, ku shumica janë të bindur se sulmet në Damask, më pak se 70 milje nga kryeqyteti libanez, do të destabilizojnë vendin, i cili veçmas Sirisë, ka qenë një nga më të vuajturit nga luftrat.

Libani është pazgjidhshmërisht i lidhur me fqinjin sirian dhe përçarjet sektariane atje pasqyrojnë të njëjtën situatë si në Siri. Por, ndërkohë që politikanët mbështetës të al-Assad thonë se sulmet ajrore kanë një ngjashmëri me përgatitjet për luftë në Irak, ata që kundërshtojnë liderin sirian i konsiderojnë ndërhyrjet si të sigurta.

Talal Arslan, lideri i Partisë Demokratike të Libanit dhe mbështetës i al-Assad, thotë se akuzat për përdorimin e armëve kimike nga forcat e regjimit në Damask janë “një kujtesë e gënjeshtrave të mëhershme të Amerikës për të mësyrë Irakun. Askush nuk i ha më këto gënjeshtra”.

Walid Jumblatt, parlamentar libanez, një aleat i rebelëve sirianë që akuzoi më herët regjimin e Assad për vrasjen e të atit në vitet e para të luftës civile në Liban, gjatë viteve ’70, tha se sulmet nuk do t’i jepnin një goditje fatale regjimit sirian. “Ndërhyrja s’do të jetë decizive, veçanërisht në mungesë të konsensusit ndërkombëtar për sulmet dhe periudhën pas tyre”.

Ahmad Fatfat, parlamentar anti-Assad, tha se pasojat e sulmeve ajrore do të varen nga reagimi i Hezbollahut, grupi i militantëve shiitë me bazë në Bejrut, që është bashkuar në luftën civile të Sirisë përkrah qeverive të Damaskut dhe Iranit.

IZRAEL – Mijëra rezidentë të frikësuar në qytetet izraelite kanë mësyrë qendrat e shpërndarjes së maskave kundragazi, për shkak se sulmet e mundshme ajrore në Siri mund të rezultojnë në një hakmarrje ndaj izraelitëve me sulme kimike.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se vendi është gati për çdo lloj skenari të mundshëm dhe paralajmëron Sirinë se do të përgjigjet me forcë, nëse Izraeli sulmohet.

Izraeli, i cili ka kërkuar prej kohësh dorëheqjen e al-Assad, është akuzuar 3 herë gjatë këtij viti për sulme ajrore brenda kufijve sirianë. Sipas zyrtarëve amerikanë, një avion bombardues izraelit sulmoi një autokolonë siriane, e cila dyshohej se po furnizonte me armë Hezbollahun.

Ushtria izraelite nuk ka komentuar asnjë prej akuzave, por ka deklaruar se do të sulmojë çdo tranferim të mundshëm të armëve drejt Hezbollahut, apo ndonjë grupi tjetër terrorist, ashtu si dhe kontrabandimin e armëve siriane në Liban, që mund të kërcënojnë Izraelin.

JORDANI – Në Amman, vetëm 1 orë larg kufirit sirian dhe brenda rrezes së raketave siriane, ekziston frika se përfshirja e Jordanisë në luftën civile mund të çojë në sulme mbi territorin vendas.

Mbreti Abdullah është një nga aleatët kryesorë të Perëndimit në rajon dhe i pari lider arab, që bëri thirrje për dorëheqjen e al-Assad. Shumica e popullsisë së vendit është sunite dhe simpatizantë të përpjekjeve të rebelëve për të rrëzuar regjimin alauit sirian.

Tashmë është një sekret i zbuluar, se Arabia Saudite po përdor Jordaninë për të furnizuar me armë rebelët në Siri. Jordania ka deklaruar se po bën gjithçka për ta shmangur këtë dhe se nuk kërkon të nxisë më tej situatën në Siri.

Pavarësisht faktit se liderët ushtarakë të botës u mblodhën në Jordani, javën e kaluar, për të diskutuar mbi Sirinë, qeveria këmbëngul se nuk do të jetë vendi i lançimit të sulmeve perëndimore ndaj fqinjëve të tyre.

Zëdhënësi i qeverisë, Mohammad Momani, tha: “Pozicioni ynë mbi krizën siriane bazohet mbi shqetësimet tona për interesat madhore të Jordanisë dhe në politikën e pandërprerë për të mos ndërhyrë në çështjet e brendshme të fqinjëve tanë. Jordania bën sërish thirrje për zgjidhje politike në Siri dhe nxit komunitetin ndërkombëtar të shtojë përpjekjet për një zgjidhje të tillë”.

IRAK – Në Irak, ku janë larguar me mijëra refugjatë sirianë, qeveria tha se vendi është në gjendje alarmi për sulmet ndaj Sirisë.

Iraku kundërshton ndërhyrjen ushtarake të Perëndimit në Siri dhe është e përçarë nga betejat e brendshme sektariane. Qeveria irakiane e dominuar nga shiitët, i frikësohet sulmeve të islamikëve sunitë, të cilët janë përfshirë në luftimet ndaj regjimit të al-Assad, ndaj qeverisë në Bagdad.

Kryeministri Nuri al-Maliki bëri thirrje për unitet, përmes një deklarate: “Ajo që po ndodh në Siri kërcënon Irakun dhe rajonin. Irakianët dhe veçanërisht politikanët duhet të bashkohen dhe të refuzojnë luftën sektariane, duke vendosur interesat kombëtare mbi interesat partiake, në mënyrë që të mbrojnë unitetin kombëtar dhe sovranitetin”.

ARABI SAUDITE – Arabia Saudite, superfuqia sunite në rajon, po ndjek një vijë shumë të përshtatshme mbi Sirinë. Ndërkohë që vëzhguesit besojnë se sauditët aprovojnë sulmet perëndimore, qeveria ende nuk e ka shfaqur publikisht mbështetjen e ndërhyrjes ushtarake në Siri.

Ministri i Jashtëm saudit, princi Al-Faisal, ka bërë thirrje ndaj Këshillit të Sigurisë në OKB të marrë mbi vete përgjegjësitë për popullin sirian dhe shtoi se regjimi i Assad ka humbur pamjen e identitetit arab të tij.

Shumica e sauditëve mbështesin rebelët dhe duan që al-Assad të largohet, por ata nuk duan gjakderdhje të mëtejshme nga sulmet me raketa në Siri.

EGJIPT – Në Egjipt, një vend që mbetet i gozhduar në krizën e saj vdekjeprurëse prej më shumë se një muaji, pasi ushtria rrëzoi presidentin Mohammed Morsi, disa parti politike kanë dalë kundër ndërhyrjes së huaj në Siri.

Lëvizja Tamarrod, që nxiti rrëzimin e Morsi-t, i “shkuli veshin” Shteteve të Bashkuara dhe bën thirrje ndaj qeverisë egjiptiane të veprojë, në rast sulmesh nga Perëndimi në Siri.

“Shtetet e Bashkuara janë një shtet imperialist, që ka shkatërruar Irakun dhe synon shkatërrimin e Sirisë, por kërkon të ndërhyjë edhe në çështjet e brendshme egjiptiane”, tha Mahmoud Badr, zëdhënës i Tamarrod. Ndërkohë, Hassan Shahin, një tjetër zëdhënës, “kërkon mbylljen e Kanalit të Suezit”, nëse shihet ndonjë lëvizje anijesh drejt Sirisë, sipas mediave shtetërore.

Nabil Fahmy, ministri egjiptian i çështjeve të jashtme, tha se vetëm zgjidhja politike pranohet për Sirinë.

JEMEN – Në Jemen, një vend që jeton nën spektrin e vazhdueshëm të sulmeve amerikane me dronë, të cilët shënjestrojnë militantët e al-Qaeda-s, zor se mund të gjesh ndonjë mbështetës të sulmeve perëndimore në Siri, edhe pse janë me qëndrime të përziera mbi regjimin e Assad.

Ahmed Bahri, i partisë Haq të Jemenit, tha për CNN se ndërhyrja e të huajve në Siri vetëm sa do të rrisë urrejtjen e Jemenit dhe botës arabe ndaj Shteteve të Bashkuara. “Arabët nuk i besojnë më SHBA-ve, për shkak se kanë sulmuar shumë vende në rajon, edhe pse liderët arabë po punojnë kundër dëshirës së popujve të tyre”.

Al-Qaeda në Gadishullin Arab (AQAP) ka zgjeruar bazat e saj në Jemen, pas rrëzimit të presidentit Ali Abdullah Saleh, gjatë Pranverës Arabe në 2011. Ndërkohë që jemenasit janë të terrorizuar nga grupi në fjalë, ata jetojnë edhe me frikën e sulmeve me dronë të SHBA-ve.

Top Channel