Zjarri po shkatërron Josemitin

25/08/2013 16:10

Flakët në parkun e famshëm kombëtar të Josemitit, në Shtetet e Bashkuara, nuk kanë të ndalur.

Zjarrfikësit po përpiqen të vënë nën kontroll zjarrin gjigant, që digjet në skajet e tij dhe që kërcënon rezervuarin kryesor të San Franciskos.

Mbi 5,000 shtëpi rrezikohen nga flakët e nisura më 17 gusht, e që deri tani nuk janë frenuar veçse në masën 5%. Beteja me to, në terrenin tepër të vështirë, ka angazhuar më shumë se 2,700 zjarrfikës.

Zyrtarët e mbrojtjes së pyjeve në Kaliforni thonë se ky është zjarri i 16-të më i madh i regjistruar ndonjëherë atje. “Kemi shënuar vërtet përparime, por terreni i thyer e ka kthyer këtë në një sfidë jashtëzakonisht të vështirë”, pohojnë ata.

Evakuimet, disa të vullnetshme, disa të detyrueshme, kanë qenë të mëdha. Guvernatori i Kalifornisë, Jerry Broën, shpalli gjendjen e emergjencës për San Franciskon, ku flakët rrezikojnë dëmtimin e linjave të tensionit të lartë, që furnizojnë qytetin me energji elektrike.

Një prej rrugëve kryesore drejt Josemitit është mbyllur, ndërsa shumë zona përreth tij janë mbuluar nga tymi, i cili ka mbërritur deri në Nevadën fqinje. Parku kombëtar i Josemitit në Kaliforni është një destinacion tepër i preferuar. Ai vizitohet çdo vit nga 3,7 milionë vetë.

Në 1984-n, Josemiti u shpall Zonë e Trashëgimisë Botërore dhe konsiderohet një prej parqeve më popullore në të gjithë globin, aq sa personave që duan të qëndrojnë aty u këshillohet të bëjnë më parë rezervime.

Top Channel