Plakja është e trashëgueshme

22/08/2013 00:00

Predispozita për t’u plakur më shpejt është ‘dhuratë’ pak a shumë e
trashëguar nga nëna. Plakja është në fakt shuma e mutacioneve që ndodhin
në nivelin qelizor, por me një impakt të veçantë janë mutacionet e ADN
së mitokondrisë (‘bateria’ që prodhon energjinë e nevojshme që i
nevojitet qelizës për të funksionuar siç duhet) një përbërje gjenetike e
quajtur m-ADN që trashëgohet nga nëna te fëmija.

Sipas një studimi të zhvilluar nga shkencëtarët suedezë të ‘Karolinska Institutet’ dhe ata gjermanë të ‘Max Planck Institute’ i cili më pas u botua në revistën shkencore ‘Nature’, disa mutacione të gjeneve të mitokondrisë së nënës trashëgohen në mënyrë identike nga nëna te fëmija, kështu që besimi i vjetër sipas të cilit: duhet t’i hedhësh një sy nënës për të parë se si do të plakët e bija nuk është aspak i gabuar, por në këtë rast vlen edhe për fëmijët meshkuj dhe jo vetëm për femrat.

Sigurisht që edhe stili i jetës luan një rol të rëndësishëm në plakjen e njeriut; stresi i akumuluar, duhani, alkooli dhe një mënyrë e papërshtatshme e të ushqyeri stimulojnë mutacionet që shkaktojnë plakje të parakohshme. Por mesa duket pika e nisjes drejt kësaj rruge është e thellë dhe e brendshme: nëse nga nëna jonë trashëgojmë ADN mitokondriale të dëmtuar plakemi më shpejt, thotë Nils-Goran Larsson, një nga autorët e studimit.

E rëndësishme pra është që të minimizohet numri i mutacioneve gjenetike. Por kjo është e vështirë duke qenë se mutacionet trashëgohet për breza e breza me radhë.

Studiuesit sugjerojnë se duke ndjekur një stil të shëndetshëm jete, çka do të reduktonte në këtë mënyrë ndryshimet gjenetike, mund të na bëjë mirë jo vetëm, ne po edhe fëmijëve apo pasardhësve tanë.

Top Channel