Pas vendimit të një gjykate egjiptiane për lirimin me kusht të ish-presidentit Hosni Mubarak, sa i përket akuzave për korrupsion, kanë reaguar zyrtarë të vendit të trazuar, të cilët kanë thënë se ai do të vihet në arrest shtëpiak.
85-vjeçari ende përballet me akuzat për bashkëpunim në vrasjet e protestuesve, gjatë trazirave që rrëzuan atë nga pushteti në 2011-n. Ai u dënua me burg të përjetshëm vitin e kaluar, por një më vonë u urdhërua një rigjykim, pas kërkesës së apelimit prej ish-presidentit.
Rigjykimi nisi në maj, por Mubarak ka kryer tashmë maksimumin e kohës së paraburgimit të lejueshme në këtë rast.
Të mërkurën, një gjykatë vendosi lirimin e Mubarak, lajm ky i bërë i ditur nga avokati i tij dhe nga burime të drejtësisë. I pyetur se kur mund të lërë qelinë Mubarak, avokati mbrojtës i tij, Fareed El-Deeb, tha për Reuters: “Ndoshta nga nesër”.
Vendimi erdhi pas një seance dëgjimore të akuzave se ish-presidenti kishte pranuar dhurata nga media shtetërore al-Ahram. Prokurori i shtetit, Ahmed el-Bahrawi, është cituar nga Reuters të ketë thënë se vendimi “është përfundimtar dhe prokurorët nuk mund ta apelojnë atë”.
Hetuesit kishin sjellë të tjera akuza ndaj tij, kur gjykata vendosi lirimin e Mubarak, një lëvizje që do të mbante ende në burg ish-liderin.
Ndërkohë, mbrëmjen e së mërkurës, zyra e kryeministrit Hazem el-Beblawi, bëri të ditur se Mubarak do të mbahet në arrest shtëpiak, pas lirimit të tij.
“Bazuar mbi ligjin e emergjencës, zëvendës/komandanti i ushtrisë lëshoi një urdhër për vendosjen e Hosni Mubarak nën arrest shtëpie”, lexohej në deklaratën e zyrës së Kryeministrisë.
Egjipti është ende në gjendje të jashtëzakonshme, pas gjakderdhjes që shpërtheu me ndërhyrjen e ushtrisë kundër kampeve të mbështetësve të presidentit të rrëzuar, Mohammed Morsi.
Sipas analistëve, lirimi i Mubarak, nëse ndodh, do të shihet si një shenjë se ushtria po rikthen mbrapsht fatet e vendit, fate që u përcaktuan pas trazirave të vitit 2011.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian mbajtën bisedime urgjente gjatë së mërkurës, për të vendosur një kundërpërgjigje ndaj dhunës së shfaqur në spastrimin e kampeve. Në takimin e Brukselit, ata ranë dakord të ndalnin eksportet e pajisjeve ushtarake drejt Egjiptit, si dhe në rishikimin e bashkëpunimit mbi sigurinë.
Megjithatë, ndihmat humanitare nga blloku me 28 anëtarë drejt Egjiptit do të mbeten të paprekura, pavarësisht thirrjeve nga disa politikanë të BE-së për ndaljen e asistencës, pas vrasjes së mbi 900 njerëzve në përplasjet e javës së kaluar.
Shefja për politikën e jashtme të BE-së, Baronesha Catherine Ashton, tha: “Asistenca më e domosdoshme do të vazhdojë të jepet. Të gjitha vendet anëtare ndihen të palëkundur në vazhdimin e mbështetjes ndaj popullit egjiptian”.
Top Channel