Ne, populli sypatrembur

18/08/2013 00:00

Fatos BAXHAKU – Itali e Jugut. Diku nga Salento rreth Leçes. Mesi i shekullit XVI. Dy kalorës të ashpër, njëri arbëror e tjetri italian, për aq sa mund të ishte asokohe, përleshen ashpër, nuk dihet mirë sepse, a për një borxh të papaguar, për një ndarje plaçke të paarrirë, për një femër, thjesht për një batutë…

Në fillim e nisën sherrin me fjalë të ndezura, ndonëse nuk e merrnin mirë vesh njëri-tjetrin, por s’ka gajle, gjuha e urrejtjes jetë e mot ka qenë e është universale. Të dy shahen mbarë e prapë deri sa vendosin që drejtësia të vihet në vend me anë të një dueli. Kush do të jetë më i forti, ai ka të drejtë. Vendimi fatal pritet sigurisht me brohoritje të ngazëllyeshme prej të pranishëmve, të etur për të parë një garë të vërtetë mes një arbërori (mercenar, ose më mirë ushtar me pagesë), të njohur si kokëkrisur, dhe një italiani mesjetar, të cilët asokohe njiheshin për traditën e tyre dredharake në luftim. Të dy kundërshtarët mbathin pajimet e rënda, ushtën, topuzin, shpatën, përkrenaret, mburojat, shigjetat dhe harkun. Të rrekur tashmë ndër beteja të ashpra e vdekjeprurëse të dy nuk e kishin për gjë të jepnin jetën në emër të një dinjiteti trimëror, me shpresën e pamat, se bëmat e tyre mbase do të këndoheshin nga pasardhësit këndej e andej detit. Beteja nis e rreptë në një shesh të vogël. Në fillim, të dyja palët e tifozëve bëjnë atë që u takon, pra brohorasin për njërin a për tjetrin, sipas përkatësisë së origjinës. Pastaj… pastaj asgjë, nuk arrijnë të shohin më se ku janë ndërluftuesit. Një re e madhe pluhuri kishte mbështjellë urrejtjen e dy trimave. Pas do kohe shohin me mund kalorësin italian të rrëzuar nga kali që po jepte shpirt dhe pas shumë e shumë minutash, si u daravit ca reja e pluhurit, shohin se si arbërori po lëkundej si i marrë me duart në fyt duke dhënë shpirt. Në trup nuk kishte asnjë plagë. Ai thjesht ishte mbytur nga reja e pluhurit që ngriti vrulli i kalit të tij. Fitimtari dhe i munduri patën kështu të njëjtin fat. Sypatremburi ynë pra, kishte pasur të njëjtin fund me kundërshtarin e sofistikuar. Kjo histori që përmendëm, nuk është aspak një legjendë, e as një fantazi. Ajo është cituar në një studim të historianit të njohur salentin Petrotta, të përkthyer në shqip këtu e do vjet më parë.

Mbase pikërisht në këto mjegulla kohësh duhet kërkuar kulti ynë i trimit, i njeriut që bën edhe marrëzira, por si me thënë marrëzira të vlefshme, e pra pikërisht prandaj mbahet mend për breza të tërë me radhë. Kështu ka lindur pak a shumë eposi i kreshnikëve, pastaj legjendat mbi Skënderbeun, trimëritë e trimave kundër Tanzimatit e kështu me radhë. Për kohën kur lindi ky mit, ishte absolutisht, qartësisht, thellësisht i arsyetuar. Me sytë nga jashtë, gjithnjë me rrezikun se nuk do të ekzistonim më si komb, pa pasur një shtet krejtësisht tonin, me fare pak miq në diplomacinë ndërkombëtare për një kohë të gjatë, etërit tanë nuk kishin se si të mbanin ndryshe të lidhur një popull, përveçse duke e frymëzuar me mite të trimave që nuk tuteshin të jepnin jetën, e që e kishin “jetën sikur me le”. Mirëpo kohët ndryshojnë dhe vjen puna që forca e cubit-hero, e komitit bie ndesh me atë të mendjes, të mësuesit e të shkollarit. Ndodhi kështu edhe te ne, sepse nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Shembulli më tipik është i rastit të patriotit të shquar shqiptar Gjerasim Qiriazi (1858-1894), vëllait të motrave të njohura Qiriazi, i cili u grabit si peng nga çeta e komitit Shahin Matraku – i bërë i njohur edhe nga një tablo shumë e famshme e Spiro Xegës (1876-1953) – dhe u mbajt peng në malet e Mokrës, derisa u lirua pas gjashtë muajsh në këmbim të një shume të majme më 1884. Të dy sot, si viktima Qiriaz, ashtu dhe trimi pengmarrës Matraku, janë njësoj të respektuar nga pasardhësit si patriotë të njohur. S’ke ç’i bën. Historia i luan ngaherë këto lojëra.

Kulti i trimit sypatrembur u përdor edhe për disa kohë si nga Ahmet Zogu ashtu edhe nga opozita kundër tij. Kujtoni me këtë rast se çfarë krijoni në mendje kur kujtoni emra të tillë si Bajram Curri, Avni Rustemi, Hasan Prishtina e të tjerë.

Shqipëria komuniste e gjeti vendin, sidomos pas një lufte edhe vëllavrasëse, me idealin e trimit sypatrembur në kulm të modës së tij. Loja me heronjtë duhej të vazhdonte. Komunizmi i veçantë shqiptar kishte nevojë për ta. Më e para nga të gjitha u shpik shifra 28 mijë dëshmorë, sipas parimit një dëshmor për çdo kilometër katror, dhe më pas mitet e djaloshëve 20 – 22-vjeçarë, që kur ishin vrarë kishin pasur pjekurinë e një stërgjyshi. Nuk kishin rëndësi detajet, kishte vetëm rëndësi që ata ishin sypatrembur njësoj si heronjtë tanë të qëmotit dhe që shembulli i tyre duhej ndjekur.

Kështu kulmi i trimit mbijetoi deri më 1990, kohë në të cilën nuk kishim më armiq shtetgllabërues si “Bajlozi i Zi prej detit si ka dalë”, përkundrazi pamë që ishim me plot miq. Kulti i heroit sypatrembur duhej të modifikohej dhe kështu më në fund, vijmë në ditët tona. Ca nga padurimi për të shpëtuar nga varfëria në minimumin e kohës me minimumin e punës, ca ngaqë ideja e trimit të marrë që nuk pyet për askënd, kishte hyrë tashmë në ADN-në tonë, ne krijuam trimat e rinj. Në këta 20 vjet, këta kanë qenë të shumtë. Është e kotë që të në kaq pak vend gazete t’i përmendim të tërë, ju vetë me siguri njihni shumë prej tyre. Ca i ka tretur dheu me kohë, ca të tjerë hanë thonjtë nga padurimi ndër burgje të sigurisë së lartë, brenda e jashtë vendit, të tjerë janë në liri të përkohshme, porse miti i sypatremburit, i trimit që nuk i hyn në sy asgjë, jo vetëm mbahet, por edhe është duke u modifikuar gjenetikisht, sipas rrethanave të ambientit.

Mjafton që të kujtoheni për disa raste të kronikës së zezë të këtyre dy javëve të fundit që të nisni ta vrisni disi mendjen. Ndërsa ankohemi që çmimi i bananes, domates, bamjeve është duke u rritur dita me ditë, harrojmë që në të njëjtin progresion ka nisur të bjerë çmimi më i vyer që mund të kemi, ai i jetës njerëzore. Marrëzia gjakatare në Vlorë, kur të rinj hapin zjarr symbyllur vetëm se dikush i kishte kërkuar motrës adresën e “Facebook”-ut, është padyshim një shembull i qartë i sypatrembësisë moderne. Pastaj njerëz që rrahin gratë si pa të keq, vëllezër e kushërinj që shtien mbi tjetrin për punë të një lope a të një gardhi, djaloshë që të ngulin thikën vetëm për një varëse të blerë në second-hand, të vrarë ndër dasma për një dolli të shpërfillur, kërcënime vdekjeje vetëm për një fjalë të thënë a të pathënë, të gjitha këto na e bëjnë me dije se kulti i trimit të paepur, kulti i atij që nuk pyet për shtetin, por as për rregullat morale, i atij që e vendos vetë se çfarë është mirë e çfarë është keq, është ende në këmbë, madje fort i mbajtur.

Në këto ditë, kur pritet që shteti të kalojë nga një dorë në tjetrën, është koha që të gjithë bashkë – nuk do të ishte e drejtë që kjo barrë t’u mvishet vetëm strukturave të Rendit e Drejtësisë, ndonëse ato kanë barrën më të madhe – se si t’ia bëjmë që të shndërrohemi nga një popull sypatrembur në një popull sytrembur, jo në pikëpamje të frikës burracake, sikur e kemi bërë në kohë diktaturash, por në pikëpamje të respektit për jetën e tjetrit, në pikëpamje të moralit të bashkuar, në pikëpamje të respektit ndaj ligjeve e shtetit dhe në emër të së ardhmes së paqtë të fëmijëve tanë. Që kjo të ndodhë, “sypatremburit” duhet ta ndiejnë veten në pakicë, të izoluar, të përbuzur, tmerrësisht gabim, përballë nesh, shumicës së “sytremburve”, të cilët kemi vendosur që kultin e trimave ta respektojmë vetëm duke lexuar libra të vjetër historie. Si bëhet kjo? Kjo është vërtet një pyetje e vështirë. Por, ama, të paktën le ta vrasim ca mendjen.

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA