Lëvizja “Vetëvendosje” kërkon ndryshimin e Kushtetutes së Kosovës në pjesën ku flitet për të drejtën e shtetësisë e po kështu edhe ligjin për shtetësi të miratuar kohë më parë në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, Kushtetuta e Kosovës është diskriminuese për popullatën shqiptare pasi ua njeh shtetesinë të gjithë qytetarëve të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës më datën 1 janar 1998.

Deputeti nga radhët e Vetëvendosjes Rexhep Selimi mendon që e drejta e shtetësisë duhet të jepet për ata qytetarët të cilët kanë qenë banorë të përhershëm në Kosovë më datë 1 janar të vitit 1989 sepse vitet ‘90 e tutje përfshijnë periudhën kur në funksion ishte mekanizmi i Millosheviçit për të ndryshuar strukturën demografike të popullsisë në Kosovë: nga njëra anë duke dëbuar shqiptarët dhe nga ana tjetër duke sjellë serbë nga e gjithë Jugosllavia.

Rexhep Selimi theksoi: “Është i domosdoshëm ndryshimi i këtij ligji pasi Kushtetuta diskriminon shumicën shqiptare në Kosovë.”

Në këtë kuadër, lëvizja Vetëvendosje kundërshtoi një vendim të komunës së Shterpcës, komunë kjo me shumicë serbe, e cila ka dhënë pronën komunale për shfrytëzim afatgjatë pa procedurë të konkurimit për ndërtimin e shtëpive të pesë familjeve serbe nga Kroacia.
“Është e papranueshme që këtyre qytetarëve tu krijohen privilegje të tilla si ndërtimi i shtëpive me taksat e qytetarëve të varfër të Kosovës”, tha Ali Halimi.

Neni 155 i Kushtetutës thotë se Republika e Kosovës ua njeh të drejtën në shtetësi, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që ata kanë, të gjithë qytetarëve të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës me datën 1 janar 1998 dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë.

Në këtë drejtim ka shkuar edhe ligji për shtetësinë të cilin e kundërshton Lëvizja Vetëvendosje.

Top Channel