Artan Mullaj – Nga mëngjesi në mbrëmje, Tirana gumëzhin nga ndërtimet pa
leje. I ngjan një panairi zhurmash! Të zezat e kësaj bote, vrasjet,
mashtrimet, mallkimet, që njerëzit shohin çdo ditë në televizor, kanë në
sfond këto zhurma kantieri.
Në çdo drejtim bëhen armatura, hidhet beton, shtohen kate të reja kuturu, zaptohen kopshte, troje, lulishte, prishen armaturat mes çukitjeve, që ngutja i bën të dëgjohen edhe më çjerrëse. Diçka të tillë duhet të ketë parë Aristoteli dy mijë e kusur vite më parë, kur vendosi të braktisë Athinën. Ishte përpjekur t’u mësonte nxënësve të tij filozofinë e shtetit dhe rëndësinë e rregullave, por u thinj brenda javës kur brenda javës u rrëzua qeveria pro-maqedonase menjëherë mbas vdekjes së Aleksandrit. Filozofi ishte përpjekur për vite me radhë të bindë bashkëkohësit e tij se shteti është një lloj komuniteti, krijimi i të cilit duhet bazuar te një gjë e mirë, sepse njerëzit janë të prirur të veprojnë gjithmonë për ta arritur atë që mendojnë se është e mirë. Aristoteli ju thoshte se shteti ishte një grusht ligjesh mes vullnetit njerëzor për t’i respektuar dhe zbatuar ato, në të mirë të të gjithëve. Por mësimet e tij, që do t’i vlenin përgjithmonë njerëzimit, nuk i vlejtën atë kohë Athinës. Pasi vdiq Aleksandri, anarkia zëvendësoi shtetin dhe më pas shkatërrimi i plotë zëvendësoi anarkinë…
Aristoteli do ishte larguar gjithashtu nga Tirana e Lulzim Bashës nëse do jetonte në kohën tonë. Me pezm, zhgënjim edhe mllef, ai do kishte zgjedhur arratinë në vend që të jepte ende këshilla dhe krijonte parime. Sepse njëlloj si Athina atëherë, Tirana është një vend bashkuar një anarkie që e sundon atë gjithandej. Madje, kjo anarkia e Tiranës, ka diçka më të veçantë se Athina e vjetër. Këtu spikat rëndshëm spontaniteti. Qytetarët e Tiranës parashikojnë fatin e tyre bazuar jo te qeverisja, jo te frika, jo te ligjet, por te rastësitë. Çdo të thotë kjo? Ndryshe nga Athina, këtu nuk mbretëron frika, dhe shkatërrimi ndodh heshtur, në qetësinë më të madhe. Në Tiranë je i lirë në çdo kohë të ndërtosh një ndërtesë të paligjshme. Të zaptosh një hapësirë publike. Të hedhësh plehrat në trotuar. Të vrasësh jo me shpatë, por duke shitur ushqime të rrezikshme në rrugë. Të pengosh qarkullimin. Nëse bën këto, e shumta mund të të fishkëllejë dikush, si ju fishkëllejnë atyre që urinojnë nën urë. Ose e shumta fare do të të afrohen policë bashkiakë a ndërtimorë, jo për të ndaluar shkatërrimin, sipas ligjeve, por për t’i dhënë pushtet rastësisë. I japin pushtet rastësisë, duke zhvilluar spontanitetin. Kam parë me sytë e mi se si policët e Lulzim Bashës kërcënuan një komshiun tim me shkatërrim të katit të tretë, që ky sapo e kishte ndërtuar pa leje, dhe, si në një pagëzim, “kërcënimi” u shndërrua në “kënaqësi”. U deshën 1000 euro ryshfet për t’u bërë e mundur kjo gjë. Erdhën me buldozerë, për të prishur ndërtimin pa leje, dhe u kthyen nga andej të prishur vetë nga kënaqësia e dhuratës ndotëse që morën nëpër xhepa.
Rastësisht komshiu im u kujtua se 1000 euro do mund të kthenin buldozerin, policat bashkiakë dhe urdhrin e Bashës mbrapsht. Rastësisht ata pranuan dhuratën. Rastësisht ata vendosën të mos e shqetësojnë më dhe komshiu rastësisht ngriti edhe një kat të ri mbi katin e tretë, duke u ndier i bekuar që as Aristoteli nuk pat jetuar në Shqipëri 2000 e ca vjet më parë, as kryetari Basha nuk pati vrasje ndërgjegje që vodhi me thonj mandatin që ka, 2 vjet e ca më parë.
Rastësisht, policat bashkiakë dhe ndërtimorë të bashkisë kalojnë në ekstaza mbas çdo kërcënimi që ju bëjnë qytetarëve që shkelin ligjin dhe ndërtojnë pa leje. Ata ju shesin atyre ligjshmëri private, shoqëruar me “mbyllje sysh” dhe marrin prej tyre premtime me “hapje sysh” për miqësi në të ardhmen.
I vetmi ligj që sundon në Tiranë është ky:? “Ndërton kush i paguan policit, paguan nën dorë kush ndërton pa leje”.
Shumë ngjarje të rastësishme prodhojnë spontanitetin! Spontaniteti i tepruar pjell anarkinë. Anarkia sjell shkatërrimin. Këtë lloj shkatërrimi, që po ndodh sot në Tiranë.
Kjo është Tirana e Lulzim Bashës, kryetari në krye të një administrate të papërgjegjshme, që qeveris vrazhdë. Përfytyroni një burg ku gardianët e zhdukur lenë pas dyer me brava të hapura. Gjejeni, ç’bëjnë të burgosurit? Ky është imazhi spontan i Tiranës. Qytetarët janë të lirë të bëjnë ç’ju kërkon kokrra e qejfit dhe delli i epshit. Ndërtimet masive pa leje janë etiketuar me emrin e kryebashkiakut: Ato po “Lulëzojnë”. S’ka mendim, dëshirë, vullnet a vrasje ndërgjegje t’i ndalojë. Por jo vetëm. Imagjinoni peizazhin: Pisllëk, trotuare të pushtuara nga mbeturinat, nga privatët dhe pakujdesia; Romë që flenë duke ndjekur shiun e meteoritëve të gushtit mesnatave nën qiellin e bashkisë. Shyqyr që Aristoteli s’ishte shenjt e s’mund të jetë mbi kokat e romëve të pastrehë. Do vdiste së dyti. Sepse do përballej me një barbari! Do mendonte, ç’barbari kjo mungesë ndjeshmërie e bashkisë për bashkinë, qytetin, njerëzit, rregullin. Do shikonte një administratë pa shpirt, që sepse është e tillë, nuk mund t’i ngjallë optimizëm një qyteti ku askund nuk ndesh dashurinë e saj për punën, rregullin, ligjin, të bukurën. Zhurmë, çukitje, sharrime, llaç, pluhur, ndotje, pisllëk dhe sulme qesharake ndaj Edi Ramës, kryeministrit në ardhje të Shqipërisë. Kjo është gjendja, ky është peizazhi, kjo është edhe axhenda.
Në vend të kujdeset t’i kursejë Tiranës tiraninë e ndërtimeve pa leje, kryetari i bashkisë sulmon Edi Ramën, që ende nuk është ulur në kolltukun e Kryeministrit. Si ai boksieri i vetëm në ring, që gjuan ajrin me grushte, derisa shembet përdhe në duelin e kotë me vetveten. Me një fjalë, Basha është një shkatërrim i dytë për Tiranën. Me dy fjalë, Basha është një shkatërrim i tretë për Partinë Demokratike. Me tre fjalë, si kryetar i saj, po vërteton se është ulur në një kolltuk që i rri i madh sa personalitetit, aq fizikut të tij. I rri mjaft i madh! Është një gjallesë mjaft e vogël për të!
Natyrisht, të sulmosh fituesin e zgjedhjeve, që ende s’ka marrë detyrën, ndërsa vetë je humbës, nuk do të thotë se je “mediokër”, por do thotë se ke një frekuencë gabim të menduari. Është një lloj paragjykimi fëminor: Të paragjykosh pushtetin e tjetrit, ndërkohë që ky s’e ka ende në dorë, ndërkohë që sapo e ke humbur, do të thotë, se nuk je i aftë të kuptosh humbjen, e ca më pak ta vlerësosh atë. E për pasojë as ta pranosh!
Mediokre është paaftësisë për të kuptuar, vlerësuar dhe pranuar humbjen. Kjo paaftësi e një “ylli në ngjitje”, gjëmon si një tingull i mërzitshëm kambane për këdo që jeton në këtë vend: E mërzitshme si anarkia me zhurmë, pluhur dhe spontanitet e Tiranës. Të kuptosh, vlerësosh dhe pranosh humbjen, tej detyrës, përkundrazi, është një fitore e vogël, e fisme, mbi të cilën do mund të ngrihen fitoret e së ardhmes, nëse të tilla do ketë ndonjëherë. Mos kesh dhe mos shijosh modestisht e moralisht këtë fitore të vogël, është si të duash të ngresh një mur pa themele, drejt e mbi baltë. Kreu qumështor i PD-së, që ka ngjitur shkallët e karrierës me biberon në gojë, po ndërton një mur filozofik pa themele, duke rrezikuar që në frymën e parë të ndëshkojë vendin dhe të ardhmen e vendit, duke i lënë ato pa opozitë…
Top Channel