Kampione e trefishtë e botës, kampione olimpike, rekormene absolute, Jelena Isinbajeva është e vetmja femër në botë që ka mundur të kërcejë mbi “çatinë” e 5 metrave në kërcimin me shkop.
Një legjendë e gjallë e këtij sporti, pas medaljes së artë të fituar në Botërorin e Moskës pak ditë më parë, natyrshëm mund të mendohet se do të mendonte për suksesin e radhës, por 31-vjeçarja ka ide të tjera.
Pasi ka thyer 28 rekorde botërore, gjithmonë të mbajtura prej saj dhe rreshtuar medalje të pafundme, tani Isinbajeva mendon për një familje të sajën. “Të kesh një fëmijë, vlen më shumë se 100 medalje ari të marra së bashku”, deklaroi çiltërsisht atletja.
”Nuk e kam provuar ende këtë ndjesi, por çdo sportiste më ka thënë të njëjtën gjë. Pas fitores së Botërorit dua të pushoj pak, por mbi të gjitha të bëhem nënë. Mendoj se ky është suksesi më i madh, gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë një gruaje”, shtoi ajo.
Jelena Isinbajeva feston suksesin e saj te fundit, ne Boterorin e Atletikes ne Moske, gusht 2013
E megjithatë, Lojrat Olimpike të Rio de Zhaneiros, në vitin 2016, vazhdojnë të jenë në planet e Isinbajevës. “Vitin e ardhshëm do të largohem nga kompeticionet dhe shpresoj të realizoj ëndrrën time, të krijoj një familje. Mbase në 2015 do të kem mundësi të stërvitem sërisht. Do të më pëlqente shumë të merrja pjesë në Brazil, të paktën mendoj se do ta tentoj, por nuk i dihet. Mbase, mund të preferoj që të shoh Lojrat Olimpike nga shtëpia me fëmijën tim. Të shohim çfarë do të ndodhë”, deklaroi sportistja.
Top Channel