Pas disa vitesh rënie konstante të spektatorëve në stadiumet italiane, ky sezon mund të sjellë kthesën e shumëpritur për Serinë A.
E lënë pas në shikueshmëri mesatare dhe abonime nga Bundesliga, Premier League dhe La Liga spanjolle, kampionati italian ka regjistruar një rritje, ndonëse të lehtë, në fushatën e abonimeve sezonale deri në këtë moment.
Kur duhen edhe dy javë që periudha e abonimeve të përfundojë, klubet italiane kanë shitur deri tani 28 mijë abonime sezonale më shumë se në të njëjtën periudhë, një sezon më parë.
Rivalizimi deri në javën e fundit për një vend në Champions në kampionatin e shkuar dhe një fushatë e bujshme blerjesh, me Mario Gomez si “qershia mbi tortë”, ka bërë që Fiorentina të jetë klubi me rritjen më të ndjeshme.
Nëse një vit më parë klubi i Firences kishte shitur 12 mijë abonime sezonale, numri për këtë sezon është rritur me 10 mijë, duke shkuar në 22 mijë.
Napoli, të sapongjiturat në Serinë A, si Verona dhe ekipe tradicionale si Catania, Genoa apo Torino kanë regjistruar gjithashtu rritje të rëndësishme në numrin e abonimeve, ndërsa në total, janë 12 nga 20 klubet që kanë regjistruar rritje.
Interi, pavarësisht se mbylli një prej sezonëve më të dobët të historisë dhe mbeti jashtë kompeticioneve europiane, mbetet ende në një nivel pothuajse të njëjtë abonimesh, në 23 500, ose 800 më shumë se një sezon më parë, ndërsa me 18 mijë të shitura deri tani, edhe Milani mbetet në nivele të ngjashme me një vit më parë.
Top Channel