Miqësoret, Angli-Skoci, rindizet “armiqësia”

15/08/2013 02:20

Armiqësitë rinisën në rivalitetin më të vjetër sa i përket futbollit ndërkombëtar, ditën e mërkurë, dhe, pavarësisht se konsiderohej vetëm si një miqësore, Anglia e Skocia zhvilluan një përballje kompetitive dhe të ashpër në “Wembley”, sfidë që u vendos nga një gol “ëndrrash” nga debutuesi Rickie Lambert.

Sulmuesi 31-vjeçar i Southampton u fut në fushë, pasi e nisi ndeshjen nga pankina, pas 1 orë loje nga trajneri i Anglisë, Roy Hodgson, dhe vetëm pak çaste më pas i kaloi “3 luanët” në avantazh 3-2, pas një goli me kokë nga goditja e këndit.

Lambert zëvendësoi sulmuesin e Man United, Wayne Rooney, i cili është bërë subjekt i spekulimeve të vazhdueshme në lidhje me të ardhmen e tij te Chelsea, teksa londinezët duken të vendosur për firmën e tij.

Rooney u duk pa përgatitjen e duhur fizike dhe pati shumë pak raste, për të shtuar numrin e golave me kombëtaren, 36 deri më tani, por stadiumi me kapacitet të tejmbushur shfaqi një atmosferë tepër të nxehtë.

Dy ekipet luajtën për herë të parë në 1872, teksa Skocia ka qenë gjithnjë e etur për t’i mposhtur “armikun e vjetër”, e veçanërisht në “Wembley”.

Ndeshjet e përvitshme mes tyre u ndalën në 1989, por këtë vit u zhvillua sërish, si shenjë e 150-vjetorit të Federatës Angleze, e para ndeshje mes tyre që prej 14 vjetësh.

James Morrison shënoi për skocezët, Theo Walcott barazoi, Skocia kaloi sërish në avantazh me Kenny Miller, por Danny Welbeck i Man United balancoi përsëri rezultatin, përpara golit vendimtar të Lambert.

“E kam ëndërruar këtë gjë gjatë gjithë jetës sime. Do të thotë shumë për mua”, tha Lambert pas ndeshjes, për ITV Sport.

Në ndeshjet e tjera miqësore të së mërkurës, Paraguaji ndali Gjermaninë në barazim 3-3, në Kaiserslautern, por udhëhoqi dy herë, 2-0 dhe 3-2.

Argjentina përfitoi shumë nga Lionel Messi, teksa mposhtën 2-1 Italinë brenda në Romë. Gonzalo Higuain dhe Ever Banega shënuan gjatë pjesës së dytë, ndërsa Lorenzo Insigne ngushtoi rezultatin në fund.

Organizatorët e Botërorit 2014, Brazili, u mposht 1-0 nga Zvicra, pas një autogoli të Dani Alves, duke bërë që të besuarit e Luiz Felipe Scolari të dilnin me kokën ulur nga Bazeli.

Shtetet e Bashkuara fituan me goleadë, 4-3 ndaj Bosnje-Hercegovinës, ku 3 gola i shënoi Jozy Altidore, ndërsa Zlatan Ibrahimovich e kopjoi atë, teksa Suedia mposhti 4-2 Norvegjinë.

Ndërkohë, në një ndeshje kualifikuese për Botërorin, shpresat e Rusisë pësuan një goditje të fortë me humbjen 1-0 ndaj Irlandës së Veriut në Belfast. Të besuarit e Fabio Capello-s mbeten 2 pikë larg Portugalisë, por me një ndeshje më shumë.

Portugalia zhvilloi një miqësore ndaj Holandës, ku Cristiano Ronaldo shënoi golin e barazimit 1-1 në fund të takimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA