Ndeshja Shqipëri-Armeni, policia, plan masash

14/08/2013 00:00

Policia e Tiranës ka marrë një plan masash për sigurimin e rendit dhe
qetësisë gjatë ndeshjes Shqipëri-Armeni, e cila do të zhvillohet të
mërkurën në orën 20:45 në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”.

Policia kryeqytetase ka njoftuar zyrtarisht se gjatë hyrjes së tifozëve në stadium, do të ushtrohet kontroll i imtësishëm për të penguar futjen e stadium të sendeve të ndaluara si: Mjete e sende të forta, fishekzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parulla me mbishkrime jo të përshtatshme etj.

Gjithashtu policia e Tiranës thekson se duke filluar nga ora 16:00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në ambientet përreth Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, sheshin “Italia”, si dhe përgjatë gjithë rrugës “Lekë Dukagjini”.

“Nga ora 18:00 e ditës sotme do të bëhet ndalimi i qarkullimit të automjeteve në ambientet përreth Stadiumit Kombëtar ‘Qemal Stafa’, rruga ”Lek Dukagjini” me kryqëzimin me rrugën ‘Themostokli Germenji’ deri në Sheshin ‘Nënë Tereza’ si dhe Rruga ‘Dervish Hima’ që të çon drejt stadiumit ‘Qemal Stafa’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Top Channel