Miqësore, Shqipëria mposht 2-0 Armeninë

14/08/2013 00:00

Kombëtarja shqiptare luajti mirë dhe fitoi 2-0 ndeshjen miqësore ndaj Armenisë, një test i mirë ky për trajnerin italian De Biazi, para ndeshjeve me Slloveninë dhe Islandën, dy përballje vendimtare për ecurinë e kuqezinjve në eleminatoret e Botërorit “Brazil 2014”.

Mungesa e lojtarëve me peshë në përfaqëusesen tonë nuk u ndje fare në këtë ndeshje, pasi ata që luajtën treguan se janë të aftë dhe kanë dëshirën e madhe për të dhënë gjithçka për këtë fanelë.

“Secili prej tyre ka ardhur me një mentalitet shumë të mirë për të ndihmuar ekipin kombëtar, por edhe për të treguar vlerat dhe arsyen pse janë grumbulluar. Ata kanë ardhur me një dëshirë shumë të madhe dhe kanë treguar shumë cilësi sonte, pavarësisht se fusha nuk të lejon të luash gjithnjë mirë. Skuadra zhvilloi një lojë shumë të mirë, edhe me 1 apo 2 takime, dhe me rëndësi është që po formohet një identitet, gjë që ekipi kombëtar nuk e ka arritur kurrë në historinë e tij. Identiteti nuk arrihet për 5 apo 6 ndeshje, por duhen 2, 3 apo 4 edicione për ta formuar”, theksoi kapiteni Lorik Cana.

Skuadra jonë e nisi ndeshjen në sulm dhe, falë shpejtësisë dhe teknikës së Ramës e të Roshit, arriti të vërë në vështirësi disa herë armenët. Ndeshja u zhbllokua në minutën e 21’, falë golit të Ramës, i dyti për të në katër ndeshje që luan me përfaqësuesen tonë.

Ndërkohë, Armenia shfaqet e rrezikshme në ato pak sulme që bën, por portieri Berisha me reflekset e tij i jep siguri skuadrës dhe nuk lejon që topi të përfundojë në rrjetë.

Në minutat e para të pjesës së dytë, ritmi i lojës së kuqezinjve ra disi, ndërkohë që armenët nuk arritën të shfrytëzonin gabimet që bënë tanët në mesfushë. Futja e Kaçes në fushë ndryshoi ritmin dhe rrjedhën e lojës.

Në topin e dytë të tij, 20-vjeçari korçar që luan me PAOK-un dyfishoi rezultatin me një supergol, i pari për të me fanelën kuqezi. Goli i dyti i dha më shumë siguri tanëve, të cilët dominuan pjesën e mbetur të lojës, por pa mundur të shënojnë.

Ndeshjet e radhës së kombëtares tonë do të jenë më 6 shtator me Slloveninë dhe 4 ditë më pas në Islandë.

Kronika e ndeshjes, minutë pas minute

Nga një gol në secilën pjesë loje kanë mjaftuar për Shqipërinë e De
Biasi-t të tregojë “dhëmbët” përpara Sllovenisë, edhe pse në një
miqësore si ajo kundër Armenisë.

Kuqezinjtë kanë treguar sërish shpirt gare, vendosmëri në fushën e
blertë dhe zbatim me përpikmëri të udhëzimeve të dhëna nga tekniku
italian, edhe pse në “Qemal Stafa” nuk gjendeshin lojtarët më të mirë të
mundshëm, edhe pse u aktivizuan shumë të rinj, madje edhe debutues në
kombëtare.

Një sinjal i fuqishëm ky, jo vetëm për sfidën e radhës
për kualifikueset e Botërorit të Brazilit, në 2014-n, por edhe për
kontratën e De Biasi-t, i cili ende nuk ka firmosur rinovimin me drejtuesit e FSHF-së.

Kombëtarja e Shqipërisë mbylli në avantazh pjesën e parë të miqësores me
Armeninë, e cila u zhvillua sot në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në
Tiranë.

Goli i avantazhit u realizua në minutën e 21’, nga ana e mesfushorit Valdet Rama, i cili, i gjetur i zbuluar brenda zonës, goditi saktë dhe mposhti portierin armen, falë edhe një devijimi të mbrojtësit.

Pjesa e parë ishte gjithashtu e pasur me raste, mbi të gjitha për përfaqësuesen tonë, e cila dominoi 45-minutëshin.

Një minutë pas golit, Agolli harkoi shkëlqyeshëm në zonë, por Januzi nuk mundi të kthente për centimetra drejt rrjetës topin, i cili kaloi të gjithë pasqyrën e portës.

Në të 30’, ishte Rroshi që, me një shpërthim të shkëlqyer nga krahu i djathtë, arriti deri në fundore, ku krosoi në qendër për Kapllanin. Sulmuesi ynë, në një planzhon me kokë, përsëri nuk arriti të devijonte saktë për çështje milimetrike.

Tre minuta më pas, Kapllani u shërbye në hyrje të zonës së rreptësisë nga Dallku, që me një filtrim të mrekullueshëm e nxorri të vetëm përballë portierit 40-vjeçar të Armenisë, i cili arriti të grushtonte mjeshtërisht, duke devijuar topin në goditje këndore.

Armenia, nga ana e saj, testoi dy herë seriozisht portierin Berisha, i cili në dy raste arriti të shpëtonte portën me daljet e tij të sakta, ndërsa në të 32’, gardiani i portës sonë bëri një pritje të shkëlqyer, në një diagonale brenda zonës, të ardhur pas një serie kombinimesh nga ana e armenëve.

Në pjesën e parë nuk u realizua asnjë ndërrim. Kombëtarja jonë luajti me formacionin 4-4-2, me këta futbollistë. Në portë, Berisha. Mbrojtës: Agolli, Cana, Teli, Dallku. Mesfushorë: Basha, Rroshi, Abrashi, Rama dhe në sulm, Januzi e Kapllani.

Pjesa e dytë nis me dy zëvendësime për kuqezinjtë e De Biasi-t, teksa autori i golit Valdet Rama i ka lënë vendin Andi Lilës, kurse Admir Teli largohet për Mërgim Mavraj.

Kombëtarja shqiptare ka vijuar me inkursionet e saj ofensive, në minutën e 48-të Januzaj u gjend përballë portës, tentoi të godiste, por topi u ndal nga mbrojtësit armenë, ndërsa 10 minuta pas rifillimit të lojës, ka qenë Basha, ai që ka tentuar me një goditje nga distanca, mbi traun e portës kundërshtare, pas pasit të dhënë për të nga Kapllani.

Sërish ka ndërhyrë tekniku italian i Shqipërisë, i cili ka larguar Roshin nga fusha e lojës për të aktivizuar Jurgen Gjasulën dhe Edmond Kapllanin për Shkëlzen Gashin, por deri në minutën e 60’ nuk shënohet asnjë rast i rrezikshëm për të dy ekipet.

Në të 65’-tën, Abrashi tentoi me një gjuajtja tokazi nga distanca, nga krahu i majtë në shtyllën e majtë pingule të portierit mik, por topi del pak jashtë.

Ergys Kaçe aktivizohet për Migjen Bashën, në ndërrimin e 5-të të De Biasi-t dhe brenda 2 minutash lojtari me numrin 11 ka shënuar gol, duke dyfishuar shifrat për Shqipërinë. Minuta e 67′, rezultati 2-0.

Vetëm në minutën e 75’ është kujtuar Armenia të rrezikojë portën kuqezi dhe portierin Etrit Berisha, pas një goditjeje këndi nga e majta e sulmit të tyre, por topi zotërohet nga portieri ynë në shtyllën e parë.

De Biasi, i kënaqur me rezultatin e ndeshjes, vijon të provojë të tjerë lojtarë, duke futur Vullnet Bashën në të 76-tën, në vend të Abrashit.

Minuta e 80’, një tjetër aksion sulmues nga Shqipëria, armenët mbyllen më mbrojtje dhe Lila përfiton nga një pasim përgjatë vijës së 16-shes, e zotëron atë, godet fuqishëm, por portieri Kasparov i Armenisë, i futur në pjesën e dytë, grushton me vështirësi në cepin e shtyllës së djathtë të tij.

Në të 82’-tën, një tjetër rast nga autori i golit të dytë, Ergys Kaçe, por këtë herë topi nuk ka gjetur rrjetën kundërshtare.

Kur luhej minuta e parafundit e kohës së rregullt të takimit, Armend Dallku ka humbur topin në krahun e djathtë të mbrojtjes, Norair i Armenisë merr kontrollin e tij, tenton të godasë diagonal, por topi përfundon jashtë shtyllës së majtë të Berishës, pa rrezik.

3 minutat shtesë të takimit nuk ndryshuan asgjë sa i përket rezultatit. Shqipëria kalon pozitivisht testin përpara ndeshjes me Slloveninë, për kualifikueset e Botërorit 2014.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA