Champions, Schalkes i ndryshon rivali

14/08/2013 16:00

Schalke 04 do të luajë me klubin grek të PAOK-ut në fazën e plejofit të Champions League, pasi kundërshtari të cilin i vendosi përballë shorti, Metalisti i Kharkivit, u përjashtua nga UEFA për shkak të përfshirjes në një skandal të fiksimit të ndeshjeve.

Ky ishte vendimi i marrë nga UEFA, i publikuar në faqen e saj zyrtare të internetit.

PAOK-u u përzgjodh si skuadra e eliminuar në raundin e tretë kualifikuese nga ana e Metalistit. Si humbës në Champions, klubi grek kishte vazhduar rrugën në Europa League, duke u vendosur përballë izraelitëve të Maccabi Tel Avivit, në fazën plejof.

Për fatin e tyre të mirë, me këtë ndryshim, Maccabi tashmë fiton të drejtën për të marrë pjesë automatikisht në fazën e grupeve, pa e luajtur takimin e tij.

Kujtojmë që në shortin e raundit të katërt të Europa League, 62 ekipet pjesëmarrësë u ndanë në 12 grupe, gjashtë grupe vazo e parë dhe gjashtë vazo e dytë.

PAOK-u ishte një prej atyre pesë rivalëve potencialë, të cilët mund të luanin përballë Skëndërbeut, i cili eventualisht “peshkoi” Chernomoretsin e Odesës.

Nëse do të na kishte “buzëqeshur” fati, duke vendosur përballë korçarëve një rival më të fortë si PAOK-u, tashmë kampionët e Shqipërisë do të ishin të kualifikuar aforfe për grupet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA