Mosmarrëveshjet mes presidentit të Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku dhe Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj Federate, Kujtim Bara, kanë bërë që ky sport të ketë dy instucione drejtuese.
Të dyja palët kanë bërë herë pas herë asamble të jashtëzakonshme dhe që të dyja pretendojnë se janë të ligjshme.
“Mua më njeh Federata Botërore e Çiklizëmit, Komiteti Olimpik Botëror, e gjithë kryesia dhe të gjithë klubet që kanë tifozë e asamble”, deklaroi presidenti i FSHÇ-së, Skënder Anxhaku.
“Ne jemi të ligjshëm pasi kemi organizuar një asamble, në të cilën zgjodhëm kryesinë, kryetarin, presidentin dhe të gjitha strukturat e tjera drejtuese”, pretendon Shefqet Dervishi, kryetar i Komitetit Drejtues të FSHÇ-së.
“Duke marrë parasysh pretendimet e të dyja palëve, në bazë të shqyrtimit të dokumentacionit, del se Federata drejtuar nga Anxhaku është konform statusit dhe është konfirmuar edhe nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, që është edhe partneri ynë kryesor”, theksoi Salih Tagani, zëvendësministër i sporteve.
Njëra nga palët pretendon se Kujtim Bara është sekretar i ligjshëm i kësaj Federate, pasi ka me vete dhe firmën e ministrit të Sportit të asaj kohe, Aldo Bumçi.
“Po, është e vërtetë që ai ka firmën e ish-ministrit, por nuk mund të jetë sekretar pa miratimin e kryesisë dhe presidentit. Nëse do të kishte këtë miratim, atëherë firma e Bumçit do të ishte e vlefshme”, pretendon Anxhaku.
“Ai mund të kërkojë çfarë të dojë, por ne e kemi me ligj dhe Baren është Sekretar i Përgjithshëm i Federatës”, thekson Dervishi.
Gjatë këtyre muajve, Drejtoria e Sporteve në Ministri u ka bërë thirrje për bashkëpunim të dyja palëve pasi vetëm kështu mund të fitojë çiklizmi shqiptar.
“Duhet të bashkohemi, prandaj kemi bërë akime me faktorët dhe aktorët, për të arritur konsensus që të mos t’i lëmë të papërfaqësuar këta çiklistë”, apeloi Tagani.
Ndërkohë, Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku, i cili njihet nga KOKSH-i dhe nga organizmat ndërkombëtare ka dërguar në ministri emrin e sekretarit që duhet të zëvendësojë Baren, por kërkesa e tij ende nuk është firmosur nga ministri Zhiti.
Top Channel