Në prag të miqësores Itali-Argjentinë, Papa Françesku, i pari në historinë e Vatikanit me prejardhje nga Amerika e Jugut priti në Selinë e Shenjtë të dy kombëtaret.
Një tifoz i zjarrtë futbolli, ish-kardinal Bergoglio dhe dy kreytarët e delegacioneve, Lionel Messi e Gianluigi Buffon ishin në gjendje që të ngjallnin emocione të veçanta tek njëri-tjetri.
“Për mua do të jetë pak e vështirë që në këtë ndeshje të jem tifoz me njërën apo tjetrën kombëtare. Për fatin tim të mirë, është vetëm një miqësore dhe ju kërkoj që të jetë e tillë edhe në fushë”, deklaroi Ati i Shenjtë.
“Ju, futbollistët, jeni shumë popullorë. Njerëzit ju ndjekin, si atëherë kur jeni në fushën e lojës dhe edhe jashtë saj. Kjo për ju është një përgjegjësi sociale, të cilën duhet ta merrni përsipër dhe të pranoni të shndërroheni në shembuj për të gjithë ata që ju admirojnë”, shtoi Françesku.
“Përpara se të jeni kampionë, ju jeni njerëz dhe më e rëndësishmja është të jeni kampionë në jetë, e pastaj në fushë”, mesazhi më i rëndësishëm që Papa deshi të përcillte.
“Futbolli më ka çuar në të gjithë anët e globit, në vendet më të largëta e të pabesueshme, por dita e sotme ishte me të vërtetë e veçantë dhe e paharrueshme. Ishte një krenari e veçantë për mua të takohesha me Papën, edhe sepse ai është argjentinas”, komentoi Messi pas takimit.
Top Channel