Botërori i Formulës 1 ka kaluar gjysmën e garave të tij dhe në mendimin e Felipe Massës, Ferrari duhet të fillojë të mendojë për sezonin e ardhshëm.
Me modifikimet e fundit që nuk kanë dhënë rezultatet e pritura, e Red Bullin sërish dominues, duket se shanset e Alonsos për të fituar titullin e parë kampion me “kokëkuqen” po bëhen gjithmonë e më të zbehta.
Përballë kësaj situate, në një intervistë për brazilianen “Totalrace”, Massa deklaroi: “Tashmë kemi filluar të mendojmë për sezonin e ardhshëm. Do të jetë shumë e rëndësishme, pasi do të ketë ndryshime të mëdha. Aktualisht, një pjesë e ekipit punon vetëm për makinën e vitit të ardhshëm dhe do të ishte mirë që të fillonim të mendonim gjithmonë e më shumë për të”.
Puna e dyzuar është diçka e zakonshme tek të gjithë skuadrat, por i pyetur se ku duhet të kalojë vëmendja në këtë moment, Massa theksoi: “Vendimtare do të jetë forma në 2-3 garat e ardhshme. Ajo do të na lejojë të kuptojmë nëse duhet të vazhdojmë të punojmë për këtë Botëror apo të përqendrohemi tërësisht në sezonin e ardhshëm”.
Top Channel