Shëndeti buxhetor dhe sfida ndaj evazionit

09/08/2013 00:00

Eduart Gjokutaj – Analizë
Mos pagesa e taksave sipas parimit të barazisë para ligjit cenon jo vetëm kolonat e sistemit fiskal, por edhe stabilitetin e financave publike.

Efekti më i dëmshëm është rritja e barrës fiskale për ligj-zbatuesit korrektë. Por, nëse standardet për një sistem tatimor neutral, nxitës të ekonomisë, të thjeshtë e transparent arrihen, por dhe perceptohen e besohen si të tilla nga qytetarët dhe bizneset, atëherë në këmbim do të vinte inkurajimi për vetëpunësime dhe investime, të shoqëruara me fuqi punëtore, si dhe kursime e rritje konsumi. Kjo do të gjeneronte si rezultat (a) për buxhetin e qeverisë të ardhura më të mëdha, që në rastin më të mirë do të shkonin (b) për shërbimet dhe investimet që ka detyrë programore t’i realizojë qeveria me sektorin publik në partnership me atë privat, që në fund mbyll qarkun, (c) si një qeveri që i ka përmbushur kërkesat e votuesve dhe rishpërndarjen e të ardhurave midis shtresave sociale, por edhe (d) ka rritur standardet e jetesës dhe sigurinë e pritshmërinë për të ardhmen.

E thjeshtë! Por, deri më sot është një mision i pa finalizuar nga secila nga qeveritë që ka menaxhuar burimet dhe shërbimet e shtetit shqiptar. Çfarë e pengon atëherë “shëndetin” e buxhetit të përparojë, përderisa gjithë këto parime njihen, e madje shprehen edhe në objektiva për t’u arritur? Përgjigjja nuk është e vështirë për t’u gjetur, pasi të tjera vende i kanë zbuluar “kurat” që pengojnë performancën e të ardhurave buxhetore. Por, përpara të përmendim sëmundjet e buxhetit. Kështu pra, sëmundjet më të mundshme do të ishin korruptimi i vullnetit politik dhe korrupsioni në administrim, evazioni shumëformësh, mungesa dhe mangësitë në shërbimin dhe informimin ndaj qytetarëve (tatimpaguesve).

Korruptimi i vullnetit politik (dallohet nga miratimi i akteve ligjore dhe administrative në dëm të interesit publik), i cili nxit shtimin e korrupsionit në procesin e administrimit fiskal, është një diskutim që i përket sovranit. Kurimi i kësaj sëmundjeje të sistemit politik dhe ekonomik arrihet vetëm me votën e qytetarit.

Ndërsa evazioni, në shumëllojshmërinë e tij, si dhe shërbimet që duhet të kryejë qeveria në favor të edukimit fiskal dhe rritjes së besimit të publikut ndaj saj, është një diskutim që rrok mbarë vendin. Debati për to është i domosdoshëm ,ashtu si për rastet epidemike që kërkojnë diagnostikim të saktë dhe kurë të fortë dhe të shpejtë.

E përkthyer kjo simbolikë në jetën e përditshme të administrimit fiskal, mund të them se lufta frontale dhe më e madhja e bërë ndonjëherë, nisur nga kushtet aktuale duhet bërë ndaj evazionit fiskal. Gjithë kjo duhet shoqëruar me një propagandë dhe fushatë e vazhdueshme publiciteti dhe informimi deri sa sistemi fiskal të ndiejë efektet e marketingut fiskal dhe rrjedha e administrimit të ketë mposhtur të keqen më të madhe.

Nuk ka dyshim që mashtruesit fiskalë, pjesë nga fitimet e konsiderueshme, i kanë përdorur për të ushqyer politikanët dhe rrethin e tyre, krimin e organizuar dhe krijimin e rrjeteve të reja në kundërvënie të administratës publike dhe interesit publik.

Në gjithë këtë mori biznesesh, strategjia duhet filluar, sipas hartës që orienton instrumenti modern administrues, ai i menaxhimit të riskut në raport me dëmin ndaj tregut, buxhetit dhe besimit të publikut. Në praktikën shqiptare një model operacional për realizimin e strategjisë do të ishte një cikël veprimesh i ndarë në disa faza, që fillon nga matja e madhësisë së evazionit, vijon me analizën e detajuar të tij, për të mundësuar kalimin në veprime operacionale sipas taktikave të njohura për këtë fenomen.

Në një retrospektivë të shkurtër, evadorët fiskalë, përgjegjës të skemave të mashtrimeve dhe kontrabandës në vlera dhjetëra milionë euro, i gjen të përhapur në çdo sektor ekonomie strategjik, të tilla, si: industritë e nxjerrjes dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore, energjia, shërbime specifike financiare, lojërat e fatit, pasuritë e paluajtshme dhe shërbime të organizuara turistike, pa harruar mallrat me akcizë dhe materialet e ndërtimit. Natyrisht që përmendja e këtyre industrive nuk përfshin bizneset që njihen dhe respektohen nga komunitetet ku operojnë, si korrektë dhe kontribuues të respektuar në buxhetin e shtetit.

Çfarë pritet nga gjithë ky angazhim?

Nëse marrim si referencë barrën tatimore dhe erozionin që ka pasur ajo nga evazioni fiskal, atëherë indikatorët fiskalë e tregojnë qartë këtë realitet. Kështu, sipas llogaritjeve të kryera nga ekspertët e AL-Tax Center, nëse në vitet ‘90 barra fiskale ishte në nivelin 46 deri 48%, në vitet e fundit barra fiskale është në nivelin 24 deri 25%. E gjithë pjesa e munguar në buxhet, në 90% të saj i përket evazionit fiskal dhe në 10% të saj vjen direkt nga politikat e gabuara dhe klienteliste të politikanëve të inkriminuar.

Pritshmëria do të ishte një shumë e parallogaritur e të ardhurave të zbuluara dhe vënia para përgjegjësisë ligjore të kundërvajtësve fiskalë. Efekti indirekt i gjithë kësaj lufte ciklike ndaj kontrabandistëve dhe evazionit do të rriste besimin e qytetarëve te qeveria, si dhe do të ndikonte te secili tatimpagues dhe investitor, për të realizuar programet e tyre të biznesit. Nga ana tjetër, kultura e ndëshkueshmërisë do të ndikojë direkt në rritjen e edukimit fiskal dhe kulturës së zbatimit të ligjeve në mënyrë vullnetare, duke bërë të mundur uljen e kostos së shërbimeve fiskale dhe mbledhjes të të ardhurave për buxhetin.

Duke e parë në këndvështrimin e sfidave nga kërcënimi prej globalizmit, një efekt më të madh do të japë përfshirja e bashkëpunimit, të shoqëruar me shkëmbimin në kohë reale të informacionit me administratat e vendeve me të cilat kryhen marrëdhëniet tregtare më të mëdha. Të vetmit që kanë fituar kanë qenë individët që sot ndihen të fuqishëm dhe të pasur. Të humburit janë qytetarët, të cilët nuk kanë marrë investimet dhe shërbimet e duhura dhe standardet e domosdoshme që janë fjalëkalimi për t’u anëtarësuar në BE.

Gazeta Shqip

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA