
Nga Shpëtim Luku – Biznesmenët e Shqipërisë, që kanë shtrirë aktivitetin e tyre në Kosovë, vazhdojnë të përballen me peripeci të vazhdueshme gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre. Improvizimet e administratës së Kosovës janë të tilla saqë vazhdimisht krijojnë realitete të reja për biznesin shqiptar, veçse këto realitete janë të mbarsura me efekte negative. Më e fundit, lëvizje ose më mirë të themi më e fundit barrierë, ka filluar të shfaqet që nga 1 gushti 2013. Pra, ka rreth një javë që të gjitha bizneset nga Shqipëria hasen me ndryshimin e praktikës doganore në Doganën e Kosovës, sipas së cilës, tashmë të gjitha veprimet zhvendosen dhe kryhen në doganën e brendshme të Prizrenit.
Nga data 01.08.2013 Dogana e Kosovës pa të drejtë ligjore ka pezulluar deklarimin e mallrave me procedurë të thjeshtëzuar, procedurë kjo e përshkruar dhe parashikuar në Kodin Doganor të Kosovës (Neni 80 KDA dhe UA 11/2009).
Natyrisht, është e drejtë e autoriteteve përkatëse të kryejnë ndryshime të caktuara, veçse ndryshimet presupozohen të përmirësojnë shërbimin, ta lehtësojnë biznesin nga procedurat e tejzgjatura. Kurse terminali i Prizrenit, në kushtet aktuale, duket si një terminal doganor me interes privat që nuk posedon minimumin e kushteve për të plotësuar kërkesat për zhdoganim të mallrave. Njëra prej këtyre mungesave është banka, e cila nuk është prezent fare në këtë pikë doganore. Kjo do të thotë se shërbimi paraqitet i përkeqësuar e aspak i përmirësuar.
Nga fillimi i muajit gusht. të gjitha automjetet transportuese të mallrave që vijnë nga Shqipëria duhet të ndryshojnë destinacionin e tyre drejt terminalit doganor privat në qytetin e Prizrenit. Dhe pasi të kryejnë veprimet e tyre të zhdoganimit, pasi të kryejnë edhe pagesat e parkingut (40 euro në ditë për kamion), atëherë fitojnë të drejtën për të lëvizur sërish në destinacionin final: te distributorët apo konsumatorët. Në pamje të parë duket një ndryshim i zakonshëm, mirëpo biznesmenët shqiptarë ankohen se kjo praktikë ka filluar të verifikohet si shumë dëmtuese për ta. Së pari, në aspektin e humbjes së asaj çka është më e rëndësishme për një biznesmen: kohës. Nëpërmjet praktikës së re koha e përgatitjes së dokumenteve dhe e praktikës së zhdoganimit është rritur disa herë. Kjo ka sjellë që të ulet ndjeshëm rendimenti i punës së shoferëve e mjeteve të transportit. Përpos kësaj, ndonëse në një shikim të parë, tarifa prej 40 eurosh për kamion, tarifë për parking 24 orësh, mund të mos duket e madhe. Ajo nuk rezulton e tillë nëse mësojmë p.sh. se në rastin e një kamioni të ngarkuar me tulla ajo përbën rreth 5-6 për qind shtesë kostoje.
Situata e krijuar tani me ndryshimet në portën lidhëse të Shqipërisë me Kosovën është vazhdim i disa problematikave të mëparshme të krijuara nga vendime apo urdhra zyrtarësh të Kosovës apo Shqipërisë, çfarë ka dëmtuar realisht relacionet mes dy vendeve. Kështu, kohë më parë, eksportuesit shqiptarë të çimentos u vunë në vështirësi për një afat kohor prej dy muajsh deri kur situata u kthye në gjendjen fillestare. Po kështu, produktet e qumështit, të eksportuara nga Shqipëria në Kosovë, gjithashtu u vunë në epiqendër të një fushate dëmtuese nga ana e autoriteteve të Kosovës, çka solli që kompanitë shqiptare që kishin fituar pozita të mira tregu atje t’i humbasin pozicionet e tyre të arritura me mund e sakrifica. Edhe nga pala shqiptare ka pasur veprime të pakuptueshme, sikurse ka qenë rasti i pengimit të eksportit të patates nga Kosova në Shqipëri, apo i bllokimit në doganë të miellit të ardhur nga një fabrikë mielli e Kosovës. Kjo do të thotë se mes vendeve tona nuk ekziston akoma ajo klima perfekte e të bërit biznes. Dhe më së shumti kjo vjen nga faktorë subjektivë. Ose e thënë më qartë, prej nismave të zyrtarëve të caktuar shtetërorë të dy vendeve, që kanë thjesht qëllim përfitimi privat!
Top Channel