Kavajë, torta e Bajramit 25 metra

08/08/2013 15:25

Ashtu si në mbarë vendin, edhe në qytetin e Kavajës është festuar Fiter Bajrami.

Kavaja është qyteti që dallohet për atmosferën dhe festimin masiv të kësaj dite të shënuar, që pason muajin e agjërimit për besimtarët.

Edhe këtë vit, bashkia e qytetit ka qene pjesë e festimeve. Pas faljes së namazit të kësaj dite është ndarë për qytetarët, pavarësisht përkatësisë fetare, torta e Bajramit.

E shndërruar në simbol të festimeve në komunitet, torta e porositur për këtë festë ishte 25 metra e gjatë.

“Uroj të gjithë besimtarët e Kavaës, të gjithë myslimanëve, gëzuar Fiter Bajramin, paqe, begat dhe lumturi në familjet e tyre”, deklaroi kryebashkiaku Rroshi.

Një urim për besimtarët është përcjellë dhe nga tenori kavajas me famë ndërkombëtare, Agim Hushi: “Kam ardhur me familjen të festoj këtë ditë të mrekullueshme Fiter Bajramin, e i uroj Kavajës të zhvillohet, teksa e gjej më të bukur se kurrë”.

Më tej festa dhe urimet janë zhvendosur nga sheshi kryesor në ambjentet familjare të besimtarëve.

Top Channel