
Nga Fatos Baxhaku – Do kohë më parë më ranë në dorë disa hartime-ese të gjimnazistëve të ardhura nga disa qytete të Shqipërisë – nga Korça, Shkodra, Gramshi, Puka, Lezha, Kukësi. Thelbi i një konkursi të organizuar nga përfaqësia e OSBE-së në Tiranë këtë herë nuk kishte të bënte me gjëra të “rënda”, me të cilat jemi mësuar në gjithë këta vjet, të tipit zgjedhje, pavarësi e pushtetit lokal, statusi i nëpunësit e të tjera gjëra të ngjashme “plot peshë”. Thelbi i kësaj përpjekjeje ishte të na bënte me dije neve “të rriturve” ende të parritur me sa duket, se sa borxh i jemi brezit të ri, se në cilën masë dhe në çfarë mënyrë u kemi thyer dhe vazhdojmë t’u këpusim ëndrrat në mes. Citimet që do të lexoni më poshtë nuk janë veçse një pjesë e vogël e asaj çka adoleshentët e sotëm nga Veriu në Jug shtrojnë si pikëpyetje, me thënë të drejtën çarmatosëse:
Së pari, demokracia është histori. Madje do të thosha se demokracia është histori njerëzore më tepër sesa politike.
Adela Vagollari, 17 vjeçe, Korçë
Si ishte e mundur që dy mijë vjet më parë, pesë mijë athinas votonin për të vendosur për fatet e Athinës, ndërsa në ditët e sotme, tjegullat që dikur përdornin në vend të votës i flakin kundër policisë dhe shtetit?
Ledion Onuzi, 17 vjeç, Kukës
Sot në vendin tonë pretendohet se ka një demokraci përfaqësuese, por sa e vërtetë është kjo?
Romina Marku, 18 vjeçe, Lezhë
Zhvillimin e demokracisë në Shqipëri për mendimin tim e pengon një dhe vetëm një gjë, futja në organet vendimmarrëse e njerëzve të paaftë.
Ilvi Deda, 17 vjeç, Pukë
Vendi ynë po ecën në rrugën e demokracisë, por unë e ndiej që ajo është e brishtë, shpeshherë lëkundet e nuk gjen rrugëdalje.
Edisnajda Shaholli, 17 vjeçe, Korçë
Shpesh shqiptarët fajësojnë shtetin, duke harruar se shteti janë ata vetë. Shteti nuk ka shkruar asnjë ligj ku thuhet se ligjet duhet të shkelen, se shqiptari nuk duhet të dojë shqiptarin e se për të ndihmuar njëri-tjetrin na duhet të paguajmë paradhënie.
Kristina Demollari, 18 vjeçe, Korçë
Nëse François Hollande dhe Nicolas Sarkozy pranuan rezultatin e zgjedhjeve dhe si dy rivalë të denjë i shtrënguan dorën njëri-tjetrit, atëherë pse mos të ndodhë kjo edhe te ne?
Neada Kallanxhi, 17 vjeçe, Korçë
Demokracia duhet të jetë ajo formë qeverisjeje në të cilën populli është i pranishëm gjatë gjithë kohës.
Xheniola Gjoni, 17 vjeçe, Pukë
Një pyetje që më mundon është nëse kjo “shoqëri demokratike” është reflektim i klasës politike. Apo mos është vetë “shoqëria demokratike” ajo që e ka projektuar këtë klasë politike?
Romina Marku, 18 vjeçe, Lezhë
Thellë-thellë, ç’është demokracia? Çfarë përfitohet dhe arrihet nëpërmjet saj? Për mua demokracia është një formë largimi nga e kaluara e dhimbshme e vendit dhe e popullit tonë. Por ne jetojmë të gjithë të kapur pas kësaj fjale, edhe pse nuk veprojmë në bazë të ligjeve dhe rregullave të saj.
Enida Bici, 19 vjeçe, Gramsh
***
Mendoja se kur të rinjtë shkruajnë për demokracinë ata ndoshta dalin disi nga hareja e moshës, bëhen më seriozë se sa u takon dhe më hijerëndë, me pak fjalë prisja të lexoja ese të shkruara nga “gra dhe burra të vegjël” me terma të huazuara nga bota e të rriturve. Isha gabuar. Ato shkrime, sidomos ato fituese, janë vërtet të mrekullueshme. Pyetje me një zgjuarsi të sinqertë e çarmatosëse, që na shtien vërtet në mendime. Gjimnazistët shkruajnë për demokracinë si një e drejtë natyrale që i takon gjithkujt, pra edhe atyre vetë dhe kjo demokraci, që shohin, është një e drejtë që në fakt u është mohuar. Nga kush? Nga ne, të rriturit.
Në fakt, pyetjet dhe gjendjet që përshkruajnë gjimnazistët janë më të rëndësishmet që pjesa më e shkolluar e vendit i ka bërë me kohë vetes. Sikurse do ta shohim ca më poshtë, pa arritur në të vërtetë deri më tani të ngrejë shtylla, të sqarojë pyetje, të hapë udhë të reja.
Duke qenë se momentet demokratike që kemi përjetuar si popull e si shtet deri para 1990 kanë qenë fare të pakonsiderueshme, atëherë demokracia te ne në radhë të parë ka qenë dhe është e moskuptuar. Meqenëse ajo u konceptua vetëm e thjesht si antipodi i diktaturës, atëherë ajo nuk kishte se si të mos ishte e moskuptuar. Sidomos në fillim të viteve ’90, por edhe sot e kësaj dite demokracia është parë si ilaçi që menjëherë, sakaq i zgjidh të gjitha problemet, sidomos ato të varfërisë. Demokracia te ne u konsiderua, dhe konsiderohet, si mjeti që sjell lumturinë personale, të ndarë, në shumë raste krejtësisht nga mirëqenia shoqërore apo e grupit. Koncepti i lirisë ka parasysh një njeri, të cilit i jepet e drejta tashmë të bëjë çdo gjë: Të zaptojë pronat e dikujt tjetër, mall e gjë, të sillet si të dojë – Jemi apo nuk jemi në demokraci? Rregulla shtrënguese kishte vetëm diktatura! – madje edhe t’i marrë jetën tjetrit me një lehtësi të pakonceptueshme. Demokracia e konceptuar kështu dhe liria personale si dhunë ndaj tjetrit, që buron prej së parës, është një nga tiparet më thelbësore të demokracisë sonë.
Përveçse e moskuptuar, te ne demokracia është edhe e keqkuptuar. Duket sikur mjafton të bënim disa ligje, të shanim me domosdo sistemin që porsa kishim kaluar dhe pastaj të rrinim në pritje, njësoj sikur të kishim mbjellë një pemë nga ato që japin prodhim që në vitin e parë. Një lloj nxitimi, nganjëherë edhe i justifikuar, për të arritur në pak kohë atë çka popuj të tjerë kanë arritur në shumë shekuj, na ka shoqëruar përditë, në çdo orë e në çdo çast në këta 20 vjetët e fundit. Dhe një popull që i hedh hapat nxitimthi, pa u menduar e kuturu, e ka shumë të kollajtë që të gabojë, të rrëzohet, të plagoset, dhe kështu edhe të zhgënjehet. Zhgënjimi hera-herës ka shkuar aq larg saqë shumë herë thuhet: Ah, ky vend nuk bëhet ndryshe veçse me një dorë të fortë! Pas kësaj mënyre të menduari pseudopatriotike janë fshehur shumë herë mënyra qeverisjeje që mbartnin mbi shpinë një dozë jo fort të vogël të mbeturinave diktatoriale të së shkuarës.
Sikur të mos mjaftonin këto dy të parat, demokracia te ne është edhe e keqpërdorur. Demokracia, ajo e vërteta, është edhe triumfi i vlerave dhe meritave të njeriut të rritur në liri. Në vend të këtij personazhi, simbol të demokracisë, ne deri më tash (verë 2013) kemi ngritur në piedestalin e pushtetit njerëz që nuk kanë asnjë vlerë shoqërore, profesionale, intelektuale. Të vetmet merita të tyre janë se kanë lidhje fisnore e krahinore me të fuqishmit e vendit dhe se janë militantët më të dalluar në tubimet e zhurmshme. Është krijuar kështu një gjysmëkastë që përbëhet nga pushtetarë dhe nga pasuesit e tyre servilë e interesaxhinj të thekur, të cilët kanë nisur të ngrenë një hendek si ato të kështjellave mesjetare mes tyre dhe shumicës së popullit. Mbase nuk është nevoja të themi se kjo pjesa tribalo-militante është njëherazi edhe pjesa më pak e kulturuar e popullit dhe, sikurse dihet, demokracia dhe injoranca nuk para shkojnë fort mirë bashkë.
Termi demokraci te ne mbase mund të barazohet më mirë me termin postdiktaturë. Demokracia shqiptare i ngjan një adoleshenti që hera-herës është i vrullshëm, i paparashikueshëm, kokëfortë, hatërmbetës, egoist, pa përvojë, por me dëshirën e madhe për të qenë dikushi. Dhe, sikurse ndodh ngaherë, vjen një ditë që edhe adoleshenti më klasik, befas e ndien veten të rritur. Kjo ditë është duke ardhur edhe për demokracinë shqiptare.
Top Channel