Në Kosovë është regjistruar viktima e 9 gjatë këtij viti, e shkaktuar nga ethet hemorragjike, që shkaktohen nga pickimi i rriqrave. Viktima është një 58 vjeçar nga fshati Dragobil i komunës së Malishevës, i cili vdiq në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në ditën kur shënohet viktima e nëntë nga ethet hemorragjike, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani ka thënë se kjo sëmundje është e pashërueshme, porse janë duke bërë maksimumin që të parandalojnë atë.

Në tryezën e organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës pikërisht për këtë çështje, minitri Agani tha se duke marrë parasysh se vdekjet e para nga ethet hemorragjike krimea kongo në Kosovë janë regjistruar qysh në vitin 1954 në fshatin Stanishor, kur një familje prej tetë anërëve kishte ndërruar jetë, atëherë kuptohet se ky është një problem kompleks.

“Fillimisht për faktin se virusi që e shkakton këtë sëmundje është virus vdekjeprurës, është virus që nuk ekziston ilaç, nuk ka barëra kauzal, nuk mund të shkatërrohet me asnjë preparat të zbuluar deri me tani. Bartësi i këtij virusi është një insekt i cili me shumë veçori është tejet rezistent ndaj dezinsektimit, ndaj procedurave të shkatërrimit të tij në hapësirë sepse bëhet fjalë për insekt që shtrihet në territor të gjerë, për insekt i cili lavrat e tij i deponon në thellësi të tokës dhe në këtë mënyrë është shumë vështirë që të arrihet të shkatërrohet në procedura të zakonshme të dezinsketimit”, deklaroi Agani.

Ndërkaq, Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik ka folur për historikun e përpapjes së kësaj sëmundjeje, dhe për komunat e prekura aktualisht.

“Sa i përket rasteve të para e përmenda është në vitin 1954 në fshatin Nishor me tetë raste të vdekjes me vonë sëmundja u zgjerua dhe u paraqit në vitet 1989, 1991 dhe 1992. Prej vitit 1995 deri në vitin 2004 sëmundja ishte e pranishme në mënyrë sporadike apo epidemike. Sëmundja karakterizohet me një shkallë të lartë të semundshmërisë dhe vdekshmërisë. Në Kosovë e shihni përhapjen e sëmundjes sidomos katër komunat ku janë përqendruar aktivitetet e MSH-së, në Malishevë, Rahovec, Suharekë dhe Klinë”, tha Ramadani.

Gjatë këtij debati ku ishin të ftuar edhe mjek e përfaqësues të fshatrave të komunës së Malishevës, zonë kjo më e goditur nga ethet hemoragjike. Mjeku Haxhi Avdyli, i afërm i një viktime ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të shtojë buxhetin për parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Top Channel