Sfida antikorrupsion e Qeverisë Rama

31/07/2013 00:00

Andrea Stefani – Në bilancin e qeverisë Berisha në largim, një nga
treguesit më të këqij është korrupsioni sa galopant, aq edhe epidemik.

Krejtësisht në kundërshtim me premtimet e dhëna në vitin 2005, se do qeveriste me duar të pastra dhe me tolerancë “0” në luftën kundër korrupsionit, Berisha rikthehet në opozitë, duke lënë pas një shtet edhe më të korruptuar se ç’e mori nga Fatos Nano. Shqipëria është zhytur edhe më poshtë në klasifikimet ndërkombëtare, duke iu afruar grupshteteve më të korruptuara në botë. Në fakt, vota thuajse plebishitare kundër qeverisë Berisha është tregues edhe i indinjatës në rritje të shqiptarëve kundër korrupsionit. Prandaj edhe mandati që ata i kanë dhënë Edi Ramës, socialistëve dhe aleatëve të tyre, është njëherazi edhe një kërkesë për luftë urgjente kundër korrupsionit. A do të mund ta përballojë qeveria e re këtë sfidë, duke përmbushur besimin publik?

***

Ka 23 vjet që të gjitha qeveritë shqiptare dështojnë, njëra pas tjetrës, në luftën kundër korrupsionit. Dhe i pandëshkuar, korrupsioni i ka shkaktuar plagë shumë të rënda projektit të shtetit ligjor në Shqipëri. Përveç pengimit të zhvillimit ekonomik apo rrënimit të mjedisit, korrupsioni ka sjellë një diferencim të frikshëm pasuror, nga njëra anë një rritje të varfërisë për shumicën e popullatës dhe, nga ana tjetër grumbullim për një kohë të shkurtër të pasurive përrallore në një grup relativisht të vogël njerëzish. Dhe pikërisht ky grup përbën sot atë “klasë”, që jo vetëm nuk e dëshiron, por do të përpiqet për ta penguar luftën kundër korrupsionit. Ai jo vetëm ka shumë para (pra pushtet), por ka ndikim në tërë spektrin politik, sepse ka përfaqësuesit e vet në të gjithë partitë politike. Gjatë këtyre 23 vjetëve korrupsioni ka infiltruar në politikë, duke u bërë pjesë integrale e klasës politike. Nuk është rastësi që jo pak politikanë numërohen sot ndër më të pasurit e vendit, ndërsa jo pak të tjerë bëjnë një jetë me shumë parametra luksozë.

 

***

Në objektivin e saj antikorrupsion, qeveria e re duhet të përballë kundërshtinë e këtij grupi njerëzish që ndodhen edhe brenda kampit të saj. Është pikërisht ky një nga faktorët që rrezikon ta tresë vullnetin e saj për një qeverisje ndryshe nga ajo e korruptuara në largim. Por kjo sfidë është e kapërcyeshme nëse në kokën e qeverisë ekziston një vullnet i palëkundur për të luftuar korrupsionin. Ndërkaq sfidën më të madhe e paraqet mungesa e një pushteti të pavarur dhe realisht të depolitizuar drejtësie. Jo vetëm prirjet autokratike të kryeministrave si Berisha apo edhe ato të Nanos (ndonëse disi më të moderuara), por edhe nevoja për të krijuar një qiell pandëshkueshmërie për qeveritarë të korruptuara, nuk kanë lejuar të lindë dhe të konsolidohet një hetuesi dhe gjyqësi realisht e pavarur. Ndërkaq, edhe vetë brenda pushtetit të drejtësisë, korrupsioni bën kërdinë. Dhe është utopike të shpresosh se një qeveri, kushdo qoftë ajo, mund të çojë përpara luftën kundër korrupsionit, duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë proverbiale për qeveritarë të korruptuar, bazuar mbi një prokurori të varur në lloj-lloj çengelash politikë dhe një gjyqësor të mbushur me gjyqtarë që mbrojnë qeveritarë e politikanë të korruptuar, por edhe janë mbrojtur prej tyre kur rrezikoheshin nga drejtësia.

 

***

Mungesa e një pushteti drejtësie të pavarur ka dy të këqija të mëdha: I mungon vullneti, dedikimi për luftë pa kompromis kundër korrupsionit dhe mund të akuzohet shumë lehtë nga të korruptuarit e politikës se po përdoret nga kundërshtarët e tyre për revansh politik. Në Itali nuk akuzon kush qeverinë apo kundërshtarët politikë të Berluskonit për revansh kur gjykata dënon Kavalierin me 7 vjet burg. Po kështu, edhe kur kryeministri dënohet nga drejtësia në Kroaci. Pse? Sepse atje është krijuar pushteti i drejtësisë që gëzon reputacionin e të qenurit i pavarur nga politika. Ndërsa në Shqipëri është e sigurt si 1+1=2 se, nëse ndonjë gjykatës do të tentojnë të ndëshkojë sipas ligjit, ndonjë ish-ministër të korruptuar të qeverisë Berisha, do të jetë ky i fundit që do të ulërasë, (këtë herë me gojën e Bashës) për revansh politik, gjueti shtrigash apo persekutim të opozitës politike. Kjo formulë i ka ecur për bukuri Berishës gjatë 8 viteve në opozitë pas vitit 1997. Korrupsioni i qeverisjes së tij të parë jo vetëm nuk u ndëshkua, por ishin edhe vetë ndërkombëtarët që ndërhynë pranë qeverive socialiste të asaj kohe (dhe këto të fundit pranë Prokurorisë), duke sugjeruar të mos ndëshkohet Berisha, sepse mund të destabilizohet vendi.

 

***

S’ka asnjë dyshim se Berisha do të ndjekë përsëri këtë taktikë për të penguar ndëshkimin e korrupsionit të njerëzve të tij. Por jemi në një moment kur gjerat nuk mund të vazhdojnë më kështu. Lufta kundër korrupsionit është jetike për jetëgjatësimin e demokracisë dhe projektin e shtetit ligjor në Shqipëri, për integrimin real të saj në Europë. Pa një përpjekje të tillë, integrimi është një fjalë boshe. Jo rastësisht, edhe ndërkombëtarët po këmbëngulin në nevojën e rekordeve konkrete në luftën kundër korrupsionit. Dhe nuk është fjala për të ndëshkuar a për të demaskuar ca infermierë apo mësues që marrin ryshfet. Është fjala për peshkaqenët e korrupsionit, kryeministra, ministra, zëvendësministra, për ata që bëjnë korrupsionin e madh, që gëlltisin “me ligj” dhe proceduralizëm antidemokratik miliarda nga paratë e taksapaguesve të varfër shqiptarë. Është fjala që ligji të ndëshkojë jo vetëm “Zhan Val’zhanët” e rrugës, por edhe “Sanaderët” e qeverive. Në emër të barazisë para ligjit, duke i dhënë fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Gjë që nuk mund të bëhet në gjendjen ekzistuese të prokurorisë dhe të gjykatave. Kërkohet një reformë e thellë dhe e shpejtë. Dhe në rast se kjo është e pamundur të kryhet në një kohë të shkurtër, duhen kërkuar rrugë të tjera. Lufta kundër korrupsionit nuk pret. Duhen huazuar nga përvoja botërore praktika të suksesshme të krijimit të agjencive të posaçme për luftën kundër korrupsionit. Në bashkëpunim me struktura të shoqërisë civile që ekzistonin dikur në Shqipëri (si Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit), por që u rrafshuan kur në vitin 2005 erdhi në pushtet Sali Berisha. Ato duhet të ringrihen në bashkëpunim me ndërkombëtarët dhe po në bashkëpunim me ta, mund të kërkohet krijimi i një mekanizmi antikorrupsion (në shtete të ndryshme janë krijuar dhe gjykata të posaçme antikorrupsion), qartazi i depolitizuar. Vetëm kështu të korruptuarit e politikës nuk do të mund të mbrojnë mëkatet, duke u qarë për “revansh politik”.

Gazeta “Shqip”

Top Channel