“Rama u tërhoq, të kërkojë ndjesë”

29/07/2013 00:00

Pas vendimit të socialistëve për tërheqjen nga kërkesa për ripërsëritjen
e zgjedhjeve në Lezhe, Partia Demokratike i kërkoi Edi Ramës që të
kërkojë ndjesë për grabitjen e mandatit të deputetit në këtë qark.

Oerd Bylykbashi tha se demokratët nuk do të heqin dorë nga transparenca e zgjedhjeve të 23 qershorit.  
 
“Pasi u vërtetua në dritën e diellit se Partia Socialiste kishte grabitur një mandat të Partisë Demokratike në qarkun e Lezhës nëpërmjet vjedhjes së votave, Edi Rama u tërhoq sot nga kërkesa për rivotim në qarkun e Lezhës. Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë qytetarëve të qarkut të Lezhës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë që u tjetërsoi atyre votën. Edi Rama duhet të kërkojë ndjesë dhe të dënojë kërcënimet banditeske që iu bënë përfaqësuesve të PD-së në KQZ një akt i pashembullt që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Tërheqja nga rivotimi në qarkun e Lezhës që pas tërheqjen nga kërkesa për numërim të votave në qarkun e Shkodrës, dëshmon fare qartë mungesën e sinqeritetit, keqbesimin dhe keqdashjen e Edi Ramës, kur për 2 vjet kërkoi transparencë pa asnjë provë, me qëllimin e vetëm bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë. Sot, kur vjedhja ka dalë në dritë, ai nxiton ta mbulojë me pretendimin absurd se këtë e bëka në interes të vendit. PD mbetet e vendosur si kurrë më parë të ndjekë deri në fund dhe përkundër çdo presioni anti-institucional, rrugën e transparencës së plotë të asaj që ndodhi me 23 qershor në Lezhë, në Shkodër dhe kudo tjetër. Ky është një detyrim madhor ndaj lirisë, dinjitetit dhe votës së lirë të çdo qytetari shqiptar”, tha Bylykbashi.

Top Channel