Elbasan, nderimet për Milianov Kallupin

25/07/2013 00:00

Është ndarë nga jeta në moshën 65-vjeçare kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Elbasanit, Milianov Kallupi.

Poeti, gazetari e botuesi Milianov Kallupi u nda nga jeta pas një sëmundjeje të rëndë. Kallupi njihet si gazetar në vitet 1983-1995 në gazetat “Luftëtari” dhe “Fjala e Lirë”, ai themeloi shtëpinë botuese “Egnatia” në vitin 1995.

Për 40 vjet u mor me krijimtari letrare dhe poezi. Milianov Kallupi ka botuar mbi 150 tituj librash, disa prej të cilëve janë përkthyer në 6 gjuhë të botës. Miqtë dhe të afërmit e tij e kanë cilësuar vdekjen e Milianov Kallupit një humbje të madhe jo vetëm për familjen, por për kulturën dhe qytetarinë elbasanase. Milianov Kallupi renditet në enciklopedi dhe antologji të ndryshme të botuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kroaci e Greqi dhe së fundmi në antologjinë “Letrat moderne Shqipe” në gjuhën italiane.

Për krijimtarinë poetike të Milianov Kallupit kanë shkruar mjaft kritikë dhe analistë të njohur të cilët kanë vlerësuar punën e tij të vazhdueshme krijuese, si dhe punën organizative për zhvillimin e veprimtarive letrare.

Me të drejtë Milianov Kallupi mban titullin “Qytetar Nderi” i Elbasanit.

Top Channel