Meta: Transparencë sipas ligjit

23/07/2013 00:00

Në harkun kohor të dy javëve kreu LSI-së Ilir Meta, është takuar me aleatin e tij kryesocialistin Edi Rama në selinë e PS-së.

Pas rreth një ore bashkëbisedimi në zyrën e kryeministrit të ardhshëm, Ilir Meta nuk dha detaje se çfarë ishte biseduar, por për t’i shpëtuar kësaj pyetje konstante të medias, ai tha se ishte një bisedë më shumë verore se sa politike.

Ndërsa për 300 ditët e para të programit qeverisës dhe përbërjen e kabinetin të ri qeverisës, sipas Ilir Metës çdo gjë do të bëhet publike në kohën e duhur. Për sa i përket vonesave në certifikimin e zgjedhjeve të 23 Qershorit, Meta dha këtë përgjigje: “Transparenca është mjaft e rëndësishme por gjithmonë sipas ligjit dhe Kodi ka qënë shumë i qartë se procesi hapjes së kutive mund të bëhet me pesë vota të antarëve të KQZ-së. Pra këtë kompetencë mund ta ketë vetëm Kolegji Zgjedhor në kushtet kur gjysmë KQZ-ja ka 4 anëtarë. Kolegji ka marrë një vendim të qartë ligjor dhe kushdo që nuk është dakort me këtë vendim të ndjekë rrugën që përcakton ligji.”

Sakaq nga Kolegji Zgjedhor, i cili ka nisur marrjen në shqyrtim të ankesës së LSI-së, për qarkun Kukës, Ilir Meta deklaroi se ai pret vetëm zbatimin e ligjit.

LSI: Vendimi i Kolegjit, profesional

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama e vlerësoi se profesional dhe të përgjegjshëm, vendimin e Kolegjit Zgjedhor sa i takon vendimit për rinumerimin e votave të qarkut të Lezhës.

“Kolegji, i pandikuar politikisht, shpalli një vendim bazuar tërësisht në ligj dhe në ndërgjegjjen profesionale të gjyqtarëve. Kjo është një shenjë integriteti profesional”, tha Rama.

Në emër të LSI-së dhe maxhorancës së re, Luan Rama garantoi se do të bëhet e mundur që në Shqipëri të ketë institucione të drejtësisë që veprojnë në përputhje më standardet europiane dhe të pandikuara nga politika.

Top Channel