
Anëtarësia e Partisë Demokratike votoi të hënën për të zgjedhur kryetarin e ri të saj, pas vendimit të Sali Berishës për t’u tërhequr nga ky post.
Votimi u krye sipas parimit “një anëtar, një votë”, që u zhvilluar për herë të parë në këtë forcë politike. Procesi i votimit u shoqërua nga disa probleme që lenë dyshime të forta, si mungesa e emrave në lista të shumë anëtarëve të partisë apo edhe numri serial në fletën e votimit.
Për të folur mbi këtë proces, në studion e lajmeve qendrore në Top Channel ishte i ftuar Gjergji Bojaxhi, Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Ilir Paço: Zoti Bojaxhi, si do e vleresonit procesin e sotëm të votimit në bazë të parimit një anëtar një votë për kreun e ri të PD-së?
Gjergji Bojaxhi: Bërja e këtij votimi ishte një proces pozitiv, por fakti si u administrua dhe fakti që u bë për herë të parë për të zgjedhur kryetarin e partisë, pa zgjedhur më parë strukturat e tjera, sigurisht krijon probleme sepse nuk mund të bësh një proces kaq të madh për herë të parë. Duhet ndërtuar segmente-segmente.
Ilir Paço: Në të gjithë vendin është vërejtur një shqetësim i madh në listat e anëtarëve të PD-së, një pjesë e mirë e të cilëve nuk kanë votuar pasi nuk kanë gjetur emrat në lista…
Gjergji Bojaxhi: Duket që ka një fenomen të tillë. Gjyukoj që për të patur një proces normal, do të kishte qenë normale për të zhvilluar një kulturë institucionale të brendshme të partisë, që sic zgjidhen kryetarët e seksionit të zgjidhen të gjitha nivelet e tjera, që sot zgjidhen nga delegatët. Fakti që në këto zgjedhje u bë një kërcim, mund të interpretohet për të marrë një rezultat të caktuar. Mendoj që është gjë e mirë votimi, por duhej bërë gradualisht.
Ilir Paço: Shqetësim po ashtu kishte edhe me numrin serial në fletën e votimit, ku dyshimet janë për kontroll të votës dhe kjo u deklarua pak më parë edhe nga zoti Olldashi kur tregoi publikisht numrin serial që kishte fleta e tij e votimit…
Gjergji Bojaxhi: Mënyrat se si zgjidhen rregullat e lojës, kanë efekt tek avantazhet e kandidatëve. Unë votova në selinë qendrore të PD-së. Dëgjova që në disa zona ka patur probleme që shpresoj të mos kenë efekt në rezultat? Është një shqetësim. Duke marrë parasysh që brenda PD nuk ka një kulturë tolerante. Unë për vete kisha deklaruar haptaz që do mbështesja Olldashin, për shumë anëtarë dhe për të qenë korrekt ai numër serial nuk duhej të ekzistonte. Ka patur një tendencë që një kandidat mund të jetë më i preferuar se një tjetër.
Ilir Paço: Ka patur një dyshim të fortë nga shumë skeptikë jashtë Partisë Demokratike nëse vërtetë do të kishte garë. Nisur nga problematikat e forta që përmendëm më siper, deklaratat e zotit Olldashi, a mendoni se kishim garë në PD? Pra një kryetar të zgjedhur?
Gjergji Bojaxhi: Kishte garë, por jo një garë perfekte. Fakti që nuk u lejuan drejtuesit kryesorë të PD që të shprehnin mendimet e tyre në publik, e bën të cunguar këtë garë. Fakti që një ditë më parë, nga deklaratat thuhet se zgjedhjet na u vodhën, kanë qenë deklarata me një mesazh për anëtarësinë.
Ilir Paço: Cilat janë sfidat e kryetarit të ri?
Gjergji Bojaxhi: Mendoj që sfidat janë të mëdha. Por problematika është se nuk janë disktuar as sfidat dhe as përgjegjësitë e kryetarit. Nëse humb zgjedhjet kryetari do japë dorëheqjen apo jo? Apo do vazhdohet me gjuhën e ekstremizmit duke fajësuar procesin. Sfidat janë më të mëdha për Partinë Demokratike se sa për drejtuesit e saj.
Top Channel