Shpërthen bombola e gazit, plagoset 35-vjeçarja

22/07/2013 00:00

Një 35-vjeçare në kryeqytet ka mbetur e plagosur në banesën e saj, pas
shpërthimit të një bombole gazi. Ngjarja ka ndodhur në rrugën
“Skënderbeu” në Kamëz.

Nga shpërthimi i bombolës, e zonja e shtëpisë, Teuta Gjergji, ka marrë plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit, e për pasojë është dërguar pranë QSUT-së, në pavijonin e djegie-plastikës për të marrë mjekimin e nevojshëm. Fatmirësisht mjekët thonë se ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndonëse duhet të qëndrojë e shtruar në spital, deri në përmirësimin e plagëve të marra nga shpërthimi.

Menjëherë pas aksidentit, në vendin e ngjarjes ka shkuar policia, e cila ka nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes. Nga të dhënat paraprake dyshohet se ngjarja është aksidentale, por ende nuk kanë përfunduar hetimet. Mësohet se bombola ishte montuar pak minuta para shpërthimit.

Një person, i cili merret me tregtimin e gazit për përdorim shtëpiak, kishte shkuar në banesën e 35-vjeçares për t’i ndërruar bombolën. Pasi ai ka pretenduar se gjithçka ka qenë në rregull, është larguar duke marrë edhe paratë për shërbimin e bërë dhe pak minuta më vonë, bombola ka shpërthyer, duke dëmtuar 35-vjeçaren.

Paraprakisht dyshohet se bombola nuk ka qenë e kolauduar dhe nuk është instaluar në kushte të larta sigurie. Gjithashtu personi që e ka mbushur bombolën thuhet se nuk është i pajisur me licencë që i lejon tregtimin e gazit. Gjithashtu pritet që ai të mbajë përgjegjësitë për aktivitetin ilegal që ka kryer ndaj qytetarëve, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Ndërkaq prej shpërthimit të gazit, janë regjistruar një numër i madh dëmesh materiale. Shpërthimi i bombolës ka shkaktuar panik te banorët e zonës, të cilët fillimisht dyshuan se bëhej fjalë për eksploziv, por më pas vunë re se kishin të bënin me shpërthimin e bombolës së gazit. Ata kanë njoftuar ambulancën për transportin e të lënduarës drejt spitalit dhe policinë. Ky nuk është rasti i parë që bombola e gazit rrezikon jetë njerëzish, madje prej shpërthimit ka pasur edhe viktima. Më 28 qershor të këtij viti, në një çerdhe në zonën e Kamzës, 3 persona mbetën të plagosur prej shpërthimit të gazit. Incidenti në fjalë vuri në rrezik jetën e fëmijëve që ndodheshin në godinë.

Top Channel