I ngacmojnë shefat, ankohen te Totozani

22/07/2013 00:00

Ngacmimet në punë nga eprori, por jo vetëm, me qëllim përfitimin e
favoreve seksuale përbëjnë numrin më të lartë të ankesave të depozituara
në zyrën e Avokatit të Popullit.

Duke marrë shkas nga ky fenomen, që shkel të drejtat e njeriut dhe që sipas përfaqësuesve të këtij institucioni po bëhet problematik gjithmonë e më shumë në vend, “viktimat” ankohen në zyrat e tij, duke anashkaluar një hallkë gjithashtu të rëndësishme, siç është policia. Burime bëjnë me dije për gazetën “Shqip” se mospaditja në strukturat e policisë vjen si pasojë e frikës për t’u identifikuar, kështu që për të ruajtur anonimatin zgjedhin zyrën e Avokatit të Popullit, ku aktualisht ankesat mbi këtë çështje janë edhe më të lartat në numër. Nisur nga këto pretendime, Avokati i Popullit, Igli Totozani, thekson rëndësinë e përfshirjes së disa neneve shtesë në ligjin “Kodi Punës i Republikës së Shqipërisë”.

Në një letër zyrtare, drejtuar ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi, për dijeni të Komisionarit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Totozani kërkon rishikim e ligjit “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, ndërsa kërkon medoemos që ngacmime të tilla që cenojnë të drejtat e njeriut të konsiderohen vepra penale, që dënohen me ligj.

Sipas tij, ligji duhet të plotësohet me 2 nene shtesë, ku njëri parashikon dënimin për “Ngacmimin Seksual” ndërsa tjetri për “Ngacmimin Moral”. Madje ai thekson faktin se këto ndryshime duhet të përfshihen në Kodin Penal, me qëllim që si ngacmimet seksuale edhe ato morale të vlerësohen si vepra penale.

Sipas Totozanit, ngacmimi i një personi me qëllim përfitimin e favoreve të një natyre seksuale dënohet me burgim 3-7 vjet.

Kur ngacmimi seksual kryhet prej punëdhënësit, eprorit apo kushdo me të cilin viktima ka një status të veçantë varësie, dënohet me burgim nga 5 – 10 vjet.

“Plotësimin e ligjit nr. 7895 datë 27.01.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, (i ndryshuar) në nenin 32 të tij duke shtuar si dispozitë ligjore në pikën 4 edhe ngacmimin moral të punëmarrësit, nga ana e punëdhënësit, i cili me veprime të përsëritura ka si qëllim shkatërrimin ose degradimin e kushteve të punës, duke i cenuar të drejtat dhe dinjitetin/moralin, si dhe duke dëmtuar shëndetin fizik dhe mendor të tij.

Në kuadrin e trajtimit të ankesave dhe problematikave që lidhen me të drejtat e njeriut prej institucionit të Avokatit të Popullit, ky i fundit ka menduar se do të ishte mirë të shikohej mundësia që për herë të parë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të qartë, të parashikohen si vepra penale edhe “Ngacmimi Seksual” dhe “Ngacmimi Moral”.

“Në objektin e shumë ankesave apo shpeshherë edhe nga monitorimet e vazhdueshme që kemi ndërmarrë ndaj organeve të administratës publike, kemi konstatuar cenim të së drejtës së punës për shkak të ushtrimit të një dhune psikologjike apo presioneve të vazhdueshme nga punëdhënësi, me veprime të cilat kanë sjellë pasoja direkte dhe kanë penguar ushtrimin e aktivitetit profesional. Neni 32 të Kodit të Punës duhet të parandalojë çdo qëndrim që cenon dinjitetin e punëmarrësit. Punëdhënësi të ndalohet të kryejë çdo veprim që përbën shqetësim seksual karshi punëmarrësit dhe nuk lejon kryerjen e veprimeve të tilla nga punëmarrësit e tjerë. Me shqetësim seksual kuptohet çdo shqetësim që dëmton në mënyrë të dukshme gjendjen psikologjike të punëmarrësit për shkak të seksit”, shkruhet në letrën zyrtare të Avokatit të Popullit.

Sipas Avokatit të Popullit, për këtë arsye, në kushtet kur e drejta për punë është e lidhur ngushtë me të drejtat e njeriut dhe cenimi i saj nga punëdhënësi me veprime të padrejta, mund të çojë në pasiguri personale, rrezik, kushte jo të shëndetshme dhe të padrejta, ndihet nevoja të rishikohen dispozitat përkatëse të Kodit të Punës dhe më tej të bëhen edhe plotësimet përkatëse në të.

“Punëdhënësi ndalohet të ngacmojë punëmarrësit me veprime të përsëritura që kanë për qëllim ose sjellin si pasojë degradimin e kushteve të punës në një shkallë të tillë që mund të çojë në cenimin e të drejtave dhe të dinjitetit të personit, në prishjen e shëndetit të tij fizik ose mendor ose në dëmtimin e të ardhmes së tij profesionale. Lidhur me masat që do të ndërmerrni për zbatim të këtij rekomandimi, lutemi të na vini në dijeni brenda afatit 30 ditor nga dita e marrjes së tij”, thotë Avokati i Popullit.

Top Channel