Portugali, bisedimet anti-krizë, pa sukses

20/07/2013 05:10

Java e bisedimeve mes 3 partive kryesore në Portugali, për gjetjen e një zgjidhjeje se si t’i jepet fund krizës, ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje, duke e lënë programin e shpëtimit të vendit në dyshim.

Presidenti Anibal Cavaco Silva kërkon një marrëveshje “kombëtare shpëtimi”, për të mbështetur politikat e shtrëngimit të kërkuara nga kreditorët, BE dhe FMN.

Por, lideri i opozitës, Antonio Jose Seguro, tha se koalicioni qeverisës ka refuzuar shumicën e propozimeve të partisë së tij. Ai shtoi se tashmë është në dorën e presidentit, për të vendosur se si t’i japë fund krizës.

Kriza u bë më e theksuar 3 javë më parë, kur ministri i Financës dhe ai i Jashtëm dhanë dorëheqjen. Ky i fundit, Paulo Portas, ishte i pakënaqur me zgjerimin e masave shtrënguese të nevojshme për të përmbushur kushtet e vendosura për shumën prej 78 miliardë euro të marra në maj 2011.

Ndërsa ai i Financës, Vitor Gaspar, i parë si arkitekti i masave shtrënguese, u dorëhoq për shkak të mungesës së mbështetjes ndaj sjelljes së tij.

Lisbona ka kërkuar një shtyrje të rishikimit të 8-të të huadhënies nga kreditorët e saj, që pritej të niste të hënën e kaluar, por që është shtyrë deri në fund të gushtit apo fillimit të shtatorit.

Partitë e koalicionit nuk komentuan pas përfundimit të bisedimeve, të premten.

Top Channel