Llalla: Dënim maksimal krimit në familje

19/07/2013 00:00

Atëherë kur dhuna dhe krimi në familje janë kthyer në një shqetësim
serioz për shoqërinë, Prokurori i Përgjithshëm u kërkon vartësve që të
aplikojnë dënimet më të ashpra që parashikon ligji, për autorët e këtyre
krimeve.

“Ditët e fundit ka patur disa ngjarje të rënda, kryesisht të krimit brenda familjes. Këto raste në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë hetuar në mënyrë të menjëhershme dhe ndaj autorëve të dyshuar nga Gjykata janë vendosur masat e sigurisë ‘arrest me burg’.Do të kërkoj nga të gjithë prokurorët që të vijojnë të ndjekin një politikë të ashpër penale për këdo që cënon jetën, pronën, rendin dhe sigurinë publike. Në këtë mënyrë do të vijojë të forcohet efikasiteti i luftës kundër krimit, po ashtu do të vijojë të nxisë luftën kundër korrupsionit”, tha Llalla.

Ky mesazh u dha gjate mbledhjes së Këshillit të Prokurorisë, ku 19 prokurorë garojnë për drejtimin e pesë prokurorive e përkatësisht të Tiranës, Durrësit, Fierit, Shkodrës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.Në një kohë që kryeprokurori e konsideron te hapur edhe luften kunder korrupsionit, së pari per numrin nje te organit te akuzes i rendesishem integriteti dhe profesionalizmi i prokuroreve.

“Që në krye të mandatit tim e kam prezantuar, se meritokracia është e vetmja bazë solide që do të influencojë në promovimin e prokurorëve dhe kjo është e vetmja kërkesë që kërkoj sot nga ju, pra, të vlerësohen më të mirët e më të mirëve mes nesh”, tha Llalla.

Ndersa pritet qe ne mbledhjen e ardhshme Keshilli i Prokurorise te marre ne shqyrtim kandidaturat per drejtues edhe per prokurorine Vlore dhe Kurbin, emrat qe fitojne ne mbledhjen e kesaj te premteje ne mbledhjen e Keshillit i propozohen Prokurorit te Pergjithshem, te cilit sipas ligjit i perket kompetenca per te caktuar drejtuesit e ketyre prokurorive dhe zevendesit e tyre.

Protestë kundër dhunës në familje

Rastet e njëpasnjëshme të krimit në familje kanë ngritur në një manifestim para Ministrisë së Drejtësisë dhjetëra qytetarë, të rinj e të reja si dhe aktivistë të shoqërisë civile.

Në shenjë simbolike ndaj vrasjeve të ndodhura gjatë këtyre ditëve, organizatorë të protestës lyen me bojë të kuqe disa veshje grash, ndërsa në duar mbanin pankarta me thirrje për ndaljen e dhunës ndaj gruas.

Manifestuesit i kërkuan drejtësisë shqiptare të japë dënimin maksimal për autorët e krimit në familje.

Sipas statistikave të policisë, gjatë gjashtë muajve në të gjithë vendin janë kallëzuar 1200 raste të dhunës në familje, prej të cilave 600 janë gra, ish-bashkëshorte ose ish-bashkëjetuese që dhunohen nga partnerët e tyre. Nga numri total i rasteve të denoncuara, 729 i janë drejtuar gjykatës për të kërkuar urdhër-mbrojtjeje.

Top Channel