Koncesioni nis me skandal

16/07/2013 00:00

Koncesioni i shumëpërfolur i ngjyrosjes së karburanteve vishet me të
tjera hije dyshimi. Përmes një investigimi, Top Channel ka siguruar një
sërë dokumentash doganorë, që faktojnë mospërputhje të mëdha në vlerën
financiare të importeve të ngjyruesve nga kompania koncesionare “Global
Fluids”.

Dokumenti i datës 27 maj 2013 është fatura e deklaruar nga kompania në doganën shqiptare për importin e saj të parë të ngjyruesve. Bëhet fjalë për një ngarkesë të nisur nga Hollanda me rreth 3465 litra ngjyrues, për të cilën kompania ka deklaruar në doganën shqiptare vlerën 2 milionë e 938 mijë euro.  

Por për të njëjtën ngarkesë Top Channel ka mundur të sigurojë deklaratën e eksportit nga autoritetet doganore të Hollandës. Ndryshimi në vlerë është 157 herë. Sipas deklarates së lëshuar nga autoritetet hollandeze, vlera e mallit rezulton vetëm 18 mijë e 600 euro. Mospërputhja e madhe në vlerë është konstuar më vonë nga autoritetet e doganës shqiptare.

Përballë këtij fakti vetëm tre ditë pas zhdoganimit në datën 11 korrik, kompania e ka rieksportuar sërish ngarkesën për në Hollandë, siç tregon edhe dokumenti. Zotërohen pamje të daljes se kamionit ne doganen e Qafe-Thanes, ku kamioni eshte kontrolluar, por jo ndaluar nga autoritetet doganore shqiptare. Këtë herë vlera e deklaruar është 24 mijë dollarë.

Top Channel kontaktoi me kompaninë, e cila ka pranuar mospërputhjet por i ka cilësuar ato si gabim. Përmes një e-maili ‘Global Fluids’ është përgjigjur se dega e saj në Shqipëri ka deklaruar vlerën reale të mallit, por në dokumentet e eksportit që janë dorëzuar në doganën shqiptare, sipas saj, kompania transportuese ka dorëzuar gabimisht dhe faturën e transportit me vlerë 18640 euro. ‘Global Fluids’ përgjigjet se shumë shpejt ngarkesa do të rikthehet në Shqipëri me dokumentat të reja.

Por ky version ngre një tjetër problem. Pas konstatimit të diferencave në vlerë nga autoritetet doganore, ngarkesa ka qenë në procedurë kontrolli. Sipas Kodit Doganor në raste të tilla mallrat bllokohen dhe nuk mund të kryejnë më asnjë procedurë tjetër derisa të përfundojë hetimi, pra, qe malli te largohet apo te hyje ne treg, ndërkohë që ndodhi krejt e kunderta: kompania u lejua t’i rieskportonte ato.

Nëse autoritetet do të vërtetojnë se kompania ka tentuar të rrisë fiktivisht shpenzimet, për të justifikuar tarifën e lartë që përfiton nga koncesioni dhe për të shmangur taksat, rasti do të përbënte skandalin e radhës në kontratat koncesionare.

Dyshimi për manipulimin e shpenzimeve është një fenomen që haset thuajse të të gjitha koncesionet në Shqipëri. Madje në industritë më fitimprurëse si minierat apo dhe nafta, prej 13 vitesh të gjitha kompanitë koncesionare në seri, nuk kanë paguar deri më sot asnjë lekë tatim-fitimi në buxhet sepse deklarohen me humbje nga shpenzimet e larta.

Për disa ekspertë kontratat koncesionare kanë ndërtuar në Shqipëri realitetin e një ekonomie koloniale, ku kompani të huaja që shfrytëzojnë pasuri natyrore dhe të drejta eskluzive të shtetit, marrin fitime kolosale dhe shmangin edhe detyrimet më bazë. Kompania koncesionare qe fitoi monopolin e ngjyrosjes se karburanteve, me nje investim total vetem 4 milione euro, do te perfitoje 200 milione euro te shtire ne nje periudhe disavjeçare. Pak dite me pare edhe deputeti socialist Erjon Braçe e akuzoi kompanine per mashtrim fiskal.

Top Channel