Burri që refuzon pensionin politik

15/07/2013 00:00

Aleksander Çipa – Në politikë thuhet që prej zanafille se “hija” e një
politikani ndodh shpesh të pengojë më shumë se prezenca e tij. Ka ditë
që në mjedisin politik shqiptar po evidentohet si e provueshme kjo e
thënë.

Dhe natyrisht që ka lidhje me politikanin e dalë në pension, i cili refuzimin e pensionit të vet politik shpejtoi ta shpallte qysh në tekstin e dorëheqjes. Një dorëheqje e cila shënonte për komunikimin e tij politik edhe rastin e rrallë të një teksti të shkruar. Një tekst të cilin e lexoi në çastin e një vendimi të pazakontë dhe, në shumicë, të pamenduar prej qytetarëve të vendit. Kjo pasi dukej se ishte akti që tradhtonte kulturën e shfaqur politike përgjatë një karriere 23-vjeçare në skenën e trazuar politike të vendit. Një politikan dominant, jetëzgjatës për tranzicionin postkomunist shqiptar, por mbi të gjitha dominant për nga autoriteti që shpalosi si në kohën si President i Republikës, ashtu edhe kur ishte kryetar i opozitës, si dhe kryetar i shumicës qeverisëse. Dominues në sherr dhe në paqe, në shou dhe në çaste dramatike, në homazhe dhe në festa, në ceremoni dhe kuvende, në konferenca dhe auditorë diplomacie. Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetari i Partisë Demokratike, i dorëhequri Sali Berisha, këmbëngul dhe e ka bindje brenda ndërgjegjes së vet se ai nuk ka punë me pensionin politik. Një bindje së cilës drejtpërsëdrejti dhe indirekt po i nënshtrohen së pari forca politike së cilës aktualisht i ka shpallur një kohë zgjedhjesh të komanduara dhe së dyti, përmes një heshtjeje dyshuese, publiku. Përballë kësaj gjendjeje, është një shumicë e re parlamentare e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013, e cila mesa duket është e preokupuar me planin e masave të fillimqeverisjes dhe të sendërtimit të skemës së paracaktuar të qeverisë së formacionit të së majtës së bashkuar.

Kjo shumicë e bashkuar e së majtës, e rezultuar e cilësuar për nga numri i karrigeve në Parlament po ripërdoret menjëherë në kohë prej politikanit që me çdo kusht do të vijojë refuzimin e pensionit politik, si alibi e një rreziku për rikthimin në pushtet të “trafiqeve dhe krimit”. Madje shkon edhe më tej duke i rimbetur besnik akuzës për një rrezik të rikthimit të falangave apo pinjollëve të byroistëve të dikurshëm.

Në këtë mënyrë dhe me kësi pretekstesh alibike, tentohet të eklipsohet dhe të shmanget nga vëmendja e publikut procesi pasues i zgjedhjes së lidershipit formal të partisë të cilën e ka pasmbajtur dhe trajtuar si monopol të modelit autoritarist partiak. Por kjo nuk është e gjitha. Ajo çfarë lexohet dhe nënkuptohet si brendi e fazës vijuese të pensionrefuzimit në jetën politike të Partisë Demokratike nuk shterohet dhe rikapitullohet pas zgjedhjeve të datës 22 korrik 2013. Për këtë ngjarje kalendarike të mbajtur me kujdes nën kontroll prej “të gjashtë shqisave” të At-pensionistit politik Berisha duket se janë të interesuar vetëm demokratët dhe, natyrisht, kureshtjeshtuarit majtistë të vendit. Është një regji e pastër nën kontroll, për të vijuar në gjithë subjektin e vet, në vëzhgimin e regjisorit Berisha, pa u trazuar së paku deri tani nga asnjë zë i huaj dhe asnjë opinion ndërkombëtar. Është një proces për të cilin duket se edhe diplomacia që ndjek me interes formulat dhe aplikimet e demokracisë së brendshme të partive, madje edhe kur aplikohet për herë të parë pas 23 vjetësh parimi “një anëtar një votë”, ka preferuar të heshtë deri në rezultat. Në këtë këndvështrim, të ngjan se në Shqipëri ka mbërritur koha e maturitetit. Por parë në brendi të subjektit partiak që po ngjet, skepticizmi, jo vetëm për mungesën e lirisë së brendshme të Partisë Demokratike, por edhe për pavarësinë e lidershipit që pritet të dalë nga zgjedhjet e reja, është dhe mbetet aq i lartë sa edhe mundësia e fraksionimit të së djathtës së këtij vendi. Burri i dalë në pension, por që e refuzon pensionin politik, me dashje apo pa dashje do të bëhet sipas të gjitha gjasave edhe protagonist i degradimit të mëtejshëm të PD-së. Koha së afërmi ka për të marrë prova për këtë proces, i cili edhe pse paraprihet nga akti zgjedhor, nuk duket se do të mbërrijë te një zgjidhje. Kjo mënyrë e zhvillimit të një fushate me dy kandidatë të miratuar (Basha-Olldashi) nuk mund të sjellë reformimin politik të partisë që u rrëzua nga masa më e madhe e votuesve shqiptarë në gjithë historinë politike të tranzicionit 23-vjeçar. Përcaktimi i pension-refuzuesit si arbitër i zgjedhjeve të reja në parti dhe tejkalimi me ndërgjegje i pozicionit të moderuesit të zgjedhjeve në parti, prej preferencës për pasues, përbën problemin që i shtohet megaproblemit të opozitës së re të vendit.

Një opozitë që vjen në rolin e tillë (të opozitës) me krizën e një rikapjeje politike. Kryetari historik i PD-së ka zgjedhur modelin e përkundërt me kundërshtarin e dikurshëm politik të së majtës, Fatos Nanon. Ikja nga ky model nuk është një gjetje, por thjesht një formë vjetrimi dhe rikapjeje. Është metoda për ta shndërruar realisht hijen e ndikimit dhe të veprimit të paskuintave në pengesë shumëformëshe për lidershipin e ri dhe për reformimin e partisë në përgjithësi. Koha e pas 22 korrikut, për Partinë Demokratike, sipas gjasave nuk ka për të qenë një kohë e re opozitarizmi, por një kalvar betejash dhe alibish politike për të dëshmuar besnikëri ndaj “hijes” dhe shtatit të At-pensionistit Berisha. Ky fat i pranuar dhe i imponuar njëkohësisht për Partinë Demokratike na afron më shumë alternativën e një konflikti politik mes pozitës dhe opozitës së vendit dhe përjashton në mënyrën më komplekse mundësinë për një katarsis politik. Sikundër vlen si parathënie e një udhëtimi të Shqipërisë në kapitullin e ri të post-tranzicionit. Këtë kapitull, refuzuesi i përhershëm i të tjerëve dhe i pensionit natyral të vetes, zoti Berisha, tenton ta rizgjasë duke gjeneruar edhe më tej mundim për shoqërinë dhe vendin. Por kësaj here dialektika po ia tregon moshën në dykuptimësinë e saj. Sfida e vetme e vogël që po rishfaqet përballë kësaj dialektike është vetëm konformizmi dhe oportuniteti i kandidatëve të komanduar nga zoti Berisha. Të heshturit në PD dhe afër PD-së,( së paku këta nuk kanë asnjë konflikt interesi), janë shumica aleate e dialektikës anti-Berishë.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA