Pavarësisht miratimit të ligjit për amnisti nga Kuvendi i Kosovës, shoqëria civile do të vazhdojë betejën për ndryshimin e këtij ligji. Janë mbi 12 mijë qytetarë të cilët kanë nënshkruar peticionin kundër ligjit aktual dhe zëri i tyre do të dëgjohet në të gjitha institucionet ndërkombëtare e vendore, thonë pjestarë të shoqërisë civile në Prishtinë.

Drejtori i institutit KPRED, Ilir Deda shfaqi sërish bindjen se ligji aktual nën petkun e amnistimit të shkelësve të ligjit në veri amniston autorë të veprave të ndryshme penale në gjithë territorin e Kosovës.

Në këtë mënyrë shoqëria civile në Kosovë kundërshton argumentin e zyrtarëve qeveritarë se ligji amniston vetëm veprat penale që ndërlidhen me thirrje për rezistencë apo cënim të rendit kushtetutes.

“Ne do të trokasim në çdo derë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare dhe askush nuk mund t’i injorojë gjithë ato nënshkrime. Rrugëtimi për vendosjen e sundimit të ligjit, përdorimi i të gjitha formave institucionale dhe demokratike si në Kosovë dhe në rrafshin ndërkombëtar do të fillojë që nga java e ardhshme. Në javën e ardhshme ne do ta dërgojmë peticionin me kërkesë tek presidentja e Kosovës”, deklaroi Deda.

Ajo çfarë kërkon shoqëria civile është që ligji të ndryshojë në atë pikë sa të tregojë qartë se do të amnistohen vetëm autorët e veprave penale të karakterit politik të kryera nga strukturat paralele serbe në veri.

Për këtë, Fisnik Korenica nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se shoqëria civile gëzon mbështetjen edhe nga diplomatë të huaj, pasi sipas tij faktori ndërkombëtar nuk është i kënaqur me përmbajtjen e projektligjit.

“Nëse ky ligj për amnisti i drejtohet amnistimit politik të strukturave paralele në veriun e Kosovës, atëherë nuk ka asnjë logjikë që i njëjti ligj të përfshijë vepra penale që nuk janë të karakterit politik. Ne mendojmë që përfshirja e veprave penale, për shembull të fushës ekonomike, është e dëmshme për standartin e demokracisë të cilin Kosova dëshiron të ndërtojë dhe nuk është vlerë evropiane në kohën kur Kosova është në fazën e fillimi të negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe në mesin e bisedimeve të procesit të liberalizimit të vizave”, deklaroi Korenica.

Ligji për amnisti, i cili buron nga marrëveshja politike mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiç, u miratua të enjten me 90 vota pro të deputetëve kosovarë.

Top Channel