Dita e Lirisë së Shtypit i gjen mediat në Kosovë në betejë me presionet politike e rritje të sulmeve ndaj gazetarëve.

Sipas raportit të Reporterëve pa kufij, vendi ka shënuar regres prej 19 vendesh në lirinë e mediave.

Sulmet ndaj gazetarëve dhe punëtorëve media, raporti konstaton se u rritën në kohën e tensioneve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Siguria e gazetarëve natyrisht ka qenë një shqetësim vitin e kaluar, ka vazhduar të jetë edhe këtë vit. Ne kemi marrë 30 sulme në pesë javë në veriun e Kosovës, duke përfshirë sulme fizike, dëmtim të pronave dhe të mjeteve të punës së gazetarëve”, tha kryetari i AGK, Xhemajl Rexha.

Mes tjerash, presioni dhe sulmet politike ndaj gazetarëve shënuan rritje gjë që e bën situatën alarmante në Kosovës.

“Ata zgjedhin që të bëjnë asocime të rrezikshme për media, gazetarë, opinionistë, njerëz të shoqërisë civile të cilët janë kritikë. Me lehtësi të padurueshme, ata të lidhin me Serbinë, të lidhin me Rusinë, ata të bëjnë të paguar prej Serbisë e Rusisë, paramendo çfarë efekti ka në publik kjo pastaj”, tha Imer Mushkolaj, nga Këshilli për Mediat e Shkruara.

Kosova shënoi regres në lirinë e mediave edhe për shkak të ndërhyrjeve të tjera politike në trupat rregulluese të mediave.

Faktori ndërkombëtar po ashtu e sheh shqetësues regresin në lirinë e mediave.

“Duhet të shmangen Me çdo kusht hapat të tillë si dispozitat për largimin e anëtarëve apo lehtësirat që partitë politike të marrin licencat. Shmangni këto hapa që janë vital për pavarësinë apo ndikojnë në politizimin e vendimmarrjes”, tha Michael Davenport, Udhëheqës i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Nga pozita e 56-të ku radhitej Kosova vitin e kaluar, në 2024 ka rënë në pozitën e 75 në mesin e 180 vendeve.

Top Channel